sh-ministri i Drejtësisë Eduard Halimi ka komentuar ditën e sotme aktet normative të marra nga qeveria, që sipas tij edhe pse janë të nevojshme duhet të merren sipas përcaktimeve kushtetuese. Në një reagim për media, Halimi u shpreh se një shtet ligjor është e rëndësishme që të funksionojë në bazë të ligjeve dhe institucionet duhet të kontrollojnë punën e tyre. “Është shumë e rëndësishme që shteti ligjor duhet të funksionojë dhe institucionet të kontrollojnë njëri-tjetrin siç ndodh në çdo republikë parlamentare. Reagimi im vjen në vijën e reagimeve dhe të kolegeve në Ballkanin Perëndimor lidhur me pikëpyetjen në të cilën ndodhet shteti ligjor në buzë të greminës ku qeveritë po përdorin si ombrella gjendjen e jashtëzakonshme dhe shqetësimi si në Shqipëri dhe në vendet e tjera ka të bëjë me procedurën dhe përmbajtjen e akteve”, tha ish ministri.
Më tej, Eduard Halimi deklaroi se disa akte normative të miratuara janë në kundërshtim të hapur me Kushtetutën dhe kanë të drejtë ankimimi, duke shtuar se nëse Gjykata Kushtetuese do të ishte funksionale ndryshimet në Kodin Penal do të rrëzoheshin. “Aktet që mund të dalin në kundërshtim me Kushtetutën dhe mund të ankimohen për shembull ndërhyrja që u bë në aktin normativ të fundit duke pezulluar afatet procedurale duke ndryshuar Kodin e Procedurës Penale, Kodin e Procedurës Civile dhe Administrative sjellin nëse do të kishim Gjykatë Kushtetuese pavlefshmëri të efekteve që një mund ta kundërshtojë këtë në të ardhmen. Ndaj është e rëndësishme që masat të merren në mënyrë të qartë në përputhje me kushtetutën dhe procedurën në parlament. Nëse ju thuhet pensionistëve që nuk duhet të dilni nga shtëpia dhe nga ana tjetër ju thuhet se nëse nuk e paguani faturën e energjisë kjo është në proporcion të drejtë me të drejtat kushtetuese. Prandaj në vendet e BE-se dhe vendet ndaj nesh masat merren përmes paketave ligjore. Nëse bëhet një akt normativ siç është bërë ky njerëzve ju thuhet se nuk duhet të dilni në punë, dhe qeveria refuzon që të paguajë pagën kjo është shkelje, është shkelje e të drejtës për të ushqyer familjen”, tha Halimi.
Ndërkohë duke iu referuar edhe veprimeve të Policisë së Shtetit, ku po gjobit këmbësorët apo automjetet që shkelin orarin e lëvizjes, ish ministri i Drejtësisë deklaroi se qytetarët mund të ankimojnë vendimet sapo gjykatat t’i rikthehen punës. Halimi tha më tej se këto akte normative tashmë kanë hyrë në fuqi dhe do zbatohen, pavarësisht se ka pakënaqësi nga ana e qytetarëve shqiptarë. “Kjo është një situatë e pazakontë për të gjithë Evropën dhe masat janë të pazakonta, ajo që duhet parë me vëmendje është që paketa duhet të miratohen duke parë me vëmendje në të gjithë drejtimet. Duke mos pasur një eksperiencë të tillë do të shikojmë dhe vendet e tjera. Me aktin normativ që është marrë nga qeveria kjo nuk jua heq të drejtën e ankimimeve në gjykatën administrative. Të mira apo jo ligjet e qeverisë kanë hyrë në fuqi dhe qytetarët duhet ti zbatojnë pavarësisht nëse ju pëlqen apo jo. Nuk kanë mundësi që ta bëjnë ankimimin afatet për ankim janë pezulluar nga qeveria dhe në momentin që hapet gjykatat mund të shkojnë dhe të ankimojnë vendimin”, tha Halimi.
