Sot në qytetin e Burrelit u përkujtua 77-vjetori i Kryengritjes Popullore të Matit. Historianët e vlerësojnë si ndër kryengritjet më të veçanta në vend. Për nder të kësaj date të shënuar Bashkia Mat dhe organizatave e Veteranëve të LANÇ-it organizuan një ceremoni pranë Muzeut Historik Mat. Për shkak të pandemisë të pranishmit mbanin maska dhe ruanin distancën nga njëri-tjetri.

Ceremoninë e çeli drejtoresha e Muzeut Mat Suzana Kurti duke evokuar me kujdes organizimin dhe rëndësinë që pati Kryengritje Popullore e Matit. Kryetari i Bashkisë Mat, Agron Malaj tha se 31 korriku është një ngjarje shumë e rëndësishme në memorien e matjanëve dhe më gjërë.  Me interes u prit dhe fjala e kryetarit të organizatës së veteranëve të LANÇ-it, Sefer Duka.

Më tej zyrtarë të bashkië, prefekturës, ushtrisë, organizatës së dëshmorëve dhe qytetarë vendosën kurora dhe buçeta me lula pranë lapidarit që kujton këtë datë historike.

Kryengritja Popullore e Matit, kundër forcave ushtarake fashiste italiane të dislokuara në Mat, është vlerësuar, si një nga më të rëndësishmet në historinë e LANÇ. Ajo u përgatit në fshehtësi dhe me kujdes gjatë periudhës prill- korrik 1943 dhe u zhvillua nga data 31 korrik (duke gdhirë data 1 gusht) deri më 28 gusht të vitit 1943. Në të morën pjesë rreth 3000 luftëtarë popullor të armatosur, përfshirë këtu edhe forcat e krahinave përreth si Lura, Qafmurra, Selita dhe Kthella, që në atë kohë administrativisht bënin pjesë në n/prefekturën e Matit.

Kryengritja qe fryt i vendimit të Kuvendit të Bruçit që u mbajt më 26 korrik 1943, ku morën pjesë përfaqësues të të gjitha shtresave e forcave politike në zbatim të frymës së Konferencës së Pezës, për një bashkim, luftë të përbashkët në një front të vetëm të të gjithë shqiptarëve pa dallim krahine, partie politike, ideje dhe feje.

Kuvendi i Bruçit i mbajtur më 26 korrik 1943 në fshatin Bruç, në shtëpinë e patriotit Ahmet Beqiri. Ai mori vendimin e duhur historik për hedhjen e popullit në Kryengritje të Përgjithshme të armatosur në verën e atij viti. Populli i Matit, në bashkëveprim e bashkëpunim me banorët e krahinave përqark, e mirëpriti dhe e përqafoi këtë vendim dhe tregoi me vendosmëri pjesëmarrjen në këtë luftë.

Raporti i forcave në fund të kryengritjes ishte 1 me 4 në favor të forcave armike. Sipas mënyrës tradicionale, çdo lagje e fshat nxori bijtë e vet “pushkë” (burrë) për shtëpi e i rreshtoi në këtë Kryengritje të Armatosur.

Shtabi drejtues i luftimeve përcaktoi qartazi objektet dhe rajonin e luftimeve në çdo fshat e zonë. Sulmi nisi në ora 24.00 të datës 31 korrik (ose duke filluar data 1 gusht) 1943, që nisi me sulmin mbi garnizonin fashist italian, burgun e Burrelit, kampin e përqendrimit fashist në Komsi, dhe administratën e nënprefekturës në Burrel. U hap burgu i Burrelit ku u liruan lart nga 200 të burgosur.

Gjatë periudhës 31 korrik-28 gusht 1943, kryengritësit popullor zhvilluan disa luftime të ashpra me armikun; në Qafshtamë, në Pujkë, Suç, Gërman, Batër, Dom, Rripë, Frankth, Gurrë e Vogël. Në përfundim patën këtë bilanc: armiku la lart nga 900 ushtarë e oficerë të vrarë e të plagosur; u kap e iu mor teknikë ushtarake e municione luftarake të konsiderueshme.

Ndërsa kryengritësit lanë në fushën e nderit 19 dëshmorë, rreth 200 të plagosur e të gjymtuar; u prishën të mbjellat e të korrat me shkelje e djegije; u dëmtuan shumë bagëti të trasha e të imta, u dëmtuan 3000 koshere bletësh; u dogjën e shkretuan 19 fshatra etj., që në përllogaritje financiare shifra kap 1603 dollarë për frymë, shifër kjo e barabartë me mesataren e vendit.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here