Artisti Imerr Neli e nisi aktivitetin e tij
artistik në lagjen Valxhi të Macukullit, ku i ati, Adem Luli, njihej si
instrumentist dhe mjeshtër i prodhimit të çiftelisë e laurisë. Të gjithë
meshkujt e asaj shtëpie luanin me çifteli dhe fyej. “Dajret e Valxhiut e
ngrejnë paren prej toke“, ishte shprehje e njohur në zonën e Prellit. Ndërsa më
të mëdhenjtë e familjes rreshtoheshin darkave pranë njëri-tjetrit me
instrumente në dorë, Imerri i ri do ta ledhatonte papushim fyellin gjithë ditën
teksa i printe tufës së dhive drejt bjeshkës për në Grykën e Valcës. I
ndërthureshin të riut Imerr rrëfimet e dëgjuara për betejën e Shkallës së
Deshëve kundër serbit, për qëndresën e macukllanëve e matjanëve të tij për të
mos lejuar komunizmin në Mat, për bëmat dhe historinë e njerëzve të “Luginës së
Mbretërve“ etj. Nga gryka e një tubi metalik fluturonin jonet muzikore plot
nostalgji e bukuri, plot butësi e dritë e ndërsa tufa e dhive i mblidhej rreth,
Imerri hynte në një botë tjetër, në një mister ende të pashpjegueshëm. Intuita
e artistit të ardhshëm gëlonte që tregimet, bisedat, blegërimën, fëshfërimën e
barit e drurëve, shkarkimet qiellore, shkëlqimin e yjeve, çapitjet e
njerëzve…. t‘i fuste në tingujt e fyellit të tij magjik. Magjepsej tufa e
dhive me tingujt e mahnitshëm të fyellit, por krenoheshin edhe bashkëfshatarët
për të ardhmen e tij. Kishte njerëz që gjenin shkak dhe kalonin në grigjë, afër
djaloshit të ri për të dëgjuar tingujt që ekzekutonte në meloditë pafund me
teknikën e përsosur, ornamentet e ritmet e shumta. Viti 1958 do të shënonte
pjesëmarrjen time të parë në takimin folklorik zonal të organizuar në Derjan
(atëherë – qendra e lokalitetit). Që nga ajo kohë, bashkë edhe me artistë të
tjerë të Matit do të kisha fatin të takoja muzikantë të mrekullueshëm në qytetin
e Burrelit dhe të njihesha me skenën dhe spektatorët. Kur kam shkuar për herë
të parë në vitin 1959 në Tiranë, drejtori Isuf Meta më shtynte nga mbrapa, pasi
unë kisha emocion të dilja në skenën e festivalit i saposhkëputur nga bjeshkët,
që i dashuroja aq shumë. Djaloshi 20-vjeçar, tashmë nga skena do të tërhiqte
vëmendjen e specialistëve dhe jurive dhe do të mbetej subjekt shumë i çmuar i
etnofolkloristikës shqiptare. Ky nuk mund të ishte rast i izoluar. Ishte një
trokitje në ndërgjegjen e nuhatjen e gjurmuesit e studiuesit të zellshëm të
muzikologjisë, Prof. Ramadan Sokoli, se kjo begati e folklorit të krahinës së
Matit buron vlera të panjohura, por shumë të larmishme e identitare. Studiuesi
me intuitën dhe përvojën e profesionistit kërkon të njohë e regjistrojë
materiale të tjera nga instrumentistë, rapsodë e grupe vokale të zonave të
ndryshme të krahinës së Matit. Bashkë me Imerrin do të ishin edhe Shaqir
Hazizi, Ibrahim Minxhozi, Hysni Hysneli me çifteli dhe Lim Rrahmani në lauri.
Tanimë pranë Institutit të Folklorit në Tiranë (sot IAKSA) u bënë pjesë e
arkivit jo pak material muzikor shumë i dobishëm. Në fund të viteve ‘50 të
shekullit të kaluar Imerr Neli erdhi në skenë sipas një kalendari zyrtar për
zhvillimin e folklorit. “Legaizimi“ i tij në publik e më pas jeta skenike nën
drejtimin e kompozitorit Skënder Frashëri në Burrel do ta njihte me këngën e re
qytetare të krijuara nga ky i fundit. E entuziazmonte tepër fakti se Imerri
bard e kishte ushqyer kompozitorin me bulëzat muzikore të lirikave të
mrekullueshme të Matit. Në mesin e viteve ’60 kompozitori Munir Shehu do të
organizonte orkestrinën e parë me instrumente të trevës dhe Imerrin do ta
kishte solist në orkestrinë. Bashkëzanimi i asaj orkestrine me këngët e bukura
të kënduara nga e magjishmja Feride Kurti do të ishin një start tjetër i ri
artistik për Matin. Neli thote se: “Në mesin e viteve ’70 kompozitori Naim
Gjoshi e fuzionoi më tej përvojën dhe cilësinë e ekzekutimit si rezultat edhe i
pjekurisë artistike të instrumentistëve. Roli i këtij solisti do ngjitej në një
platformë të re. Ai jo vetëm provonte me suksese shkallën kromatike në bilbil,
por do të debutonte në festivale i vlerësuar me çmime edhe si krijues”. Me këtë
status (individ-institucion) përgatiti e drejtoi për dekada me radhë grupin e
instrumentistëve të vegjël pranë QKF, të cilët u bënë rasati i orkestrinës,
tashmë famoze të Matit. QKF-ja do të përfaqësohej disa herë në festivale më
fëmijët dhe nën drejtimin e Imerrit do të meritonte gjithnjë vende të para. Nuk
shkroi partiturë, por ishte ushqyes i partiturave të kompozitorëve në rreth dhe
më pas bëhej ekzekutuesi i atyre partiturave me fyellin dhe bilbilin e tij.
Ishin talenti, pasioni,vullneti, disiplina, dashuria për trashëgiminë e trevës
së vet? Padyshim, të gjitha bashkë plotësonin portretin artistik të tij. Por
unë do të shtoja edhe respektimin nga ana e Imerrit e punës programore në
zbatim të politikave kulturore të institucioneve, ku cilësia artistike dhe
disiplina e madhe ktheheshin në një shkollë të re për ‘të. Imerri kujton: “Kur
kam parë për herë të parë në Tiranë Xhevat Lishin me dajre në grupin
përfaqësues të Matit, që morën në mënyrë të padiskutueshme çmimin e parë, e
ndjeva veten krenar dhe përnjëherë mendova pozicionin tim në përbërje të këtij
grupi artistik. Dhe vërtetë tingujt e fyellit, bilbilit e çiftelisë së Imer
Nelaj në krye të ansamblit “Mati” do të dominonin thuajse pjesën më të madhe të
joneve që prodhonte orkestrina popullore. Pa asnjë mëdyshje do të justifikonte
jo vetëm besimin e drejtuesve por edhe respektin e. Një muziktar i tillë
mbulohet me një aureolë adhurimi e nderimi falë dhuntive dhe vlerave që
përcjell. Prandaj edhe ka tërhequr vëmendjen e shumë kronikanëve e poetëve,
gazetarëve e studiuesve, lokalë e kombëtarë të cilët të frymëzuar nga pasioni
dhe vibrimet e tij shpirtërore, kanë evidentuar me solemnitet e elegancë në
vargjet dhe frazat e tyre. Është rast unikal në shkallë kombëtare, që artisti
Imerr Neli, që nga viti 1958 nuk i është ndarë asnjëherë skenës së koncerteve,
festivaleve lokale, kombëtare në tipologjitë e gjinive të artit folklorik dhe
të Festivalit Folklorik Kombëtar në Gjirokastër. Imerr Neli është pjesëmarrës
në të 10 Festivalet, pra që nga viti 1968 si solist në aerofone, laureat në
disa syresh radhazi, i titulluar Artist i Merituar në vitin 1979. Tani mban
edhe titullin e lartë ”Mjeshtër i Madh”. Ndërsa ka debutuar në dhjetëra
festivale pa ndërprerje dhe ka fituar qindra diploma, çmime, Mirënjohje,
dekorata dhe Tituj brenda dhe jashtë vendit, në diasporën shqiptare dhe në mediumet
shkencore Ai shpreh me veneracion mirënjohjen dhe respektin për spektatorin e
mrekullueshëm që e ka ndjekur dhe duartrokitur kudo për 60 vite me radhë. “Nuk
mund të përcaktoj kilometrat e bëra e të orëve të vona në skenat e ndryshme të
koncerteve, buzëqeshjet e ngazëllimet, duartrokitjet e sukseset, as edhe telat
e këputur nëpër instrumente apo ndonjëherë edhe tendosje nervash, por një fakt
mund ta them: “Kam shpenzuar aq shuma tuba plastikë për të prodhuar fyejt që më
nevojiteshin në skenë, sa me ‘to e kisha sjellë ujin e lagjes Valxhi të
Macukullit në banesën time në lagjen “Pjetër Budi” në Burrel”, shprehet Imerr
Neli. Puna, përkushtimi dhe talenti i tij kulmon me të birin, Beharin, i cili
ka hyrë në tregun e produksionit muzikor me guxim, pasion, virtuozitet dhe
origjinalitet si një shembull kreativ i gjeneratës së tij.
Të fundit
Postime te ngjashme
Add A Comment