Ndeshja e së shtunës, e zhvilluar në stadiumin “Liri Ballabani” mes Burrelit dhe Ilirisë së Fushë-Krujës, përfundoi në barazim pa gola. Takimi u mbyll me rrjeta të paprekura, pasi asnjëra nga skuadrat nuk arriti të konkretizojë rastet e krijuara gjatë 90 minutave të lojës.
Për ekipin e Burrelit, ashtu si edhe në disa përballje të tjera të këtij sezoni, ndeshja u shoqërua me tensione për shkak të vendimeve të arbitrimit, të cilat u kontestuan nga vendasit. Gjyqtari kryesor, Mehmet Koçi, u kritikua në disa raste nga futbollistët dhe stafi i skuadrës matjane, të cilët pretenduan për vendime të diskutueshme në favor të miqve.
Në aspektin e lojës, Burreli u shfaq më kërkues në pjesën e dytë, duke krijuar disa raste të rrezikshme përpara portës së Ilirisë. Megjithatë, skuadra nga Fushë-Kruja u përqendrua kryesisht në ruajtjen e rezultatit, duke administruar mirë lojën në fazën mbrojtëse dhe duke marrë një pikë të rëndësishme në transfertë.
Pas këtij barazimi pa gola, Iliria mban vendin e katërt në renditje me 34 pikë, ndërsa Burreli mbetet në vendin e gjashtë me 32 pikë, duke u distancuar me dy pikë nga rivali i drejtpërdrejtë.
Të gjitha ndeshjet e javës së 25-të u zhvilluan të shtunën dhe përfunduan me këto rezultate:
Skënderbeu – Lushnja 2–0,
Laçi – Apolonia 2–1,
Pogradeci – Korabi 4–1,
Kastrioti – Besa 2–3,
Burreli – Iliria 0–0,
Kukësi – Luftëtari 0–0.
