Megjithëse ka vetëm pak javë që është mbyllur sezoni futbollistik 2023-2024, skuadra e Burrelit nuk po humbet kohë për emërimin e stafit teknik dhe afrimin e lojtarëve të rinj.
Ekipi matjan e ka nisur me trajnerin, ku pas largimit të teknikut Klevis Hima, i cili e drejtoi skuadrën për pothuajse një sezon, ka gjetur emrin e ri të teknikut. Mes klubit dhe Ditmar Bicajt është rënë dakord që ai të drejtojë kampionatin e ardhshëm skuadrën velindore, Burrelin.
Burime pranë Klubit të Futbollit bëjnë me dije se matjanët këtë javë jo vetëm do të shijojnë fillimin e Euro 2024, por ata do të prezantojnë “timonierin” e tyre dhe njëkohësisht po mendojnë për lojtarët e rinj që do të veshin bluzën e Burrelit.
Ditmar Bicaj do të jetë si drejtues i pankinës së Burrelit pas një eksperience me Flamurtarin, në rolin e zëvendëstrajnerit.