Presidenti italian Sergio Mattarella paralajmëron Bashkimin Europian se nëse nuk e kupton rrezikun do të jetë shumë vonë. Me një mesazh drejtuar italianëve, dhe atyre që janë në vijën e parë të frontit në përballimin e situatës ai i kërkoi BE-së solidaritet dhe ndërgjegjësim për kërcënimin real që i kanoset.
“Uroj shumë që të gjithë ta kuptojnë përpara se të jetë tepër vonë sesa i rëndë është vërtet ky kërcënim për Europën. Solidariteti nuk është vetëm kërkesë e vlerave të Unionit, është edhe interes i përbashkët”, u shpreh ai.
Kreu i shtetit shprehu dhimbje për jetët e humbura, por edhe për familjarët që nuk mundën të ishin pranë njerëzve të dashur në momentet e tyre të fundit.
“Agonia e humbjes u shumëfishua nga vuajtja që solli distancimi i detyrueshëm”, theksoi Mattarella.
Megjithatë në fund, mesazhit të vet, i dha tone optimiste:
“Në rindërtime, populli ynë gjithmonë ka ditur të japë më të mirën e vetes. Së bashku, padyshim do t’ia dalim mbanë edhe këtë radhë.”
Vetëm një ditë më parë, në Itali u shënua rekordi i dhimbshëm i numrit më të madh të vdekjeve në 24 orë: gati 1 mijë të vdekur.