Drejtoresha e Qendrës së Shërbimeve Arsimore (QSHA), Rezana Vrapi ka sqaruar procesin e korrigjimit të testit të Maturës Shtetërore 2020.
Vrapi në një komunikim për maturantët ka theksuar se korrigjimi do të bëhet në mënyrë digjitale, pasi i gjithë testi do të jetë i organizuar në pyetje me alternativa.
“Nxënësit pasi të kenë përfunduar përgjigjet në test, duhet që t’i hedhin në fletë-përgjigje. Më pas, kjo fletë-përgjigje do të administrohet nga Qendra e Shërbimeve Arsimore dhe do të procesohet përmes skanerave.
Kjo do të shkurtojë kohën e korrigjimit, besueshmëria e korrigjimit është maksimale dhe sigurisht edhe dalja e rezultateve në kohën e duhur. Sërish bëjmë me dije që brenda datës 30 qershor i gjithë procesi është i përfunduar”, tha Vrapi.
Në fund të këtij procesi do të fillojë dhe printimi i diplomave. Kjo do të bëhet më datën 1 korrik 2020 dhe ky proces do të jetë në dy faza, pasi në fazën e parë do të printohen diplomat për të gjithë maturantët të cilët dëshirojnë të studiojnë jashtë vendit. Ndërsa ditët në vijim, do të mbyllet edhe procesi për pjesën tjetër të maturantëve.
