Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku inspektoi sot punimet në lotin e dytë të përroit të Gostimës në Polis Valë të Elbasanit, një investim që mbështet aktivitetin bujqësor të zonës, por edhe për banorët që jetojnë aty.
Sipas Maznikut, “ndërhyrjet infrastrukturore në Përroin e Gostimës jo vetëm që do të sigurojnë një mbështetje të qenësishme për aktivitetin bujqësor të zonës, por do të sigurojë në të njëjtën kohë edhe mbrojtjen e pronave nga goditjet klimatike, duke ofruar më shumë siguri për mirëqenien dhe aktivitetin ekonomik të të gjithë banorëve që ky investim u vjen në shërbim”.
Kryetari i bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja i pranishëm në këtë takim u shpreh se ky projekt është i shumëkërkuar prej vitesh nga banorët e këtij fshati.
“Është një fshat punëtor, ku të gjithë sytë i kanë nga bujqësia dhe pemëtaria. Filluam vjet, me pjesën e parë të digës që ishte dhe loti i parë, tashmë jemi në 200-metërshin e dytë, ku janë edhe katër prita tërthore që bëjnë amortizimin e përroit të Gostimës.
Është një investim i bashkisë së Elbasanit në bashkëpunim me drejtorin e Emergjencave Civile pikërisht për të shmangur të gjithë problematikat që krijon në tokën bujqësore por edhe banesat që janë pranë”, tha Llatja.