Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku zhvilloi një takim pune me Nancy Vanhorn, e ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë dhe Mischere Kawas, drejtore e USAID në Shqipëri.
Mazniku bëri të ditur se, në fokus të diskutimit ishte potenciali i zhvillimit të njësive tona vendore për të rritur performancën e tyre ekonomike duke garantuar kështu shërbim cilësor dhe mundësi më të mëdha për qytetarët tanë.
“SHBA-tët kanë qenë mbështetës kyç në reformën e fuqizimit të pushtetit vendor përmes programit PLGP të USAID dhe ne kemi ende shumë për të përfituar nga një bashkëpunim i afërt me aleatin tonë”, u shpreh ministri.
Mazniku theksoi rëndësinë e zbatimit të projekteve që mbështet USAID në forcimin e ekonomive lokale.
“Projekti inovativ i qendrës për sigurinë kibernetike vendore në Korçë, projekti per infrastrukturën arsimore në 6 bashki, apo projektet e agroturizmit në bashkinë e Lezhës, të ndërmarrë nga ambasada, janë shembuj se si bashkëpunimi i jashtëzakonshëm mes shteteve tona mund të zbresë suksesshëm në nivel vendor”, tha ministri Mazniku.