Rreth 373 milionë shtetas të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Europian do të mund të votojnë sot në zgjedhjet për Parlamentin Europian, që do të mbahen deri më 9 qershor.
Parlamenti Europian është trupi i vetëm i Bashkimit Europian që përfaqëson shtetasit e vendeve anëtare. Funksioni i tij primar përfshin negocimin e ligjeve të BE-së me anëtarë të qeverive, që përfaqësohen prej Këshillit Europian.
Parlamenti Europian, po ashtu, miraton buxhetin e BE-së dhe voton për marrëveshjet ndërkombëtare, si dhe për zgjerimin e bllokut europian. Ky institucion ka përgjegjësi mbikëqyrëse, përfshirë fuqinë për të miratuar apo refuzuar emërimin e presidentit të Komisionit Europian, pozitë në të cilën është aktualisht Ursula von der Leyen e Gjermanisë dhe të komisionarëve.
Për dallim prej parlamenteve kombëtare, Parlamenti Evropian nuk ka të drejtë të propozojë ligje, por mund të negociojë ligjet e propozuara prej Komisionit Europian.
Parlamenti Evropian përbëhet prej 720 anëtarëve dhe zgjedhjet për të mbahen çdo pesë vjet. Deputetët e këtij institucioni e zgjedhin më pas presidentin për një mandat dy vjet e gjysmë. Presidentja aktuale në shkuarje është Roberta Metsola e Italisë.
Kush mund të votojë?
Në 21 vende anëtare mund të votojnë shtetasit mbi moshën 18-vjeçare. Në Belgjikë, Gjermani, Austri dhe Maltë, mosha minimale është 16-vjeçare. Shtetasit e Greqisë, që kanë mbushur 17 vjet në vitin zgjedhor, do të mund të votojnë po ashtu, ndërsa në Hungari, individët e martuar mund të votojnë pavarësisht moshës. Shtetasit e BE-së mund të votojnë në shtetin e tyre të origjinës, apo edhe prej jashtë.