Gjyqi për vrasjen e reperit të njohur amerikan Tupac Shakur është mbajtur në Las Vegas, rreth 30 vjet pas të shtënave që i morën jetën në shtator 1996. I akuzuari është Duane “Keffe D” Davis, i vetmi person i akuzuar ndonjëherë për vrasjen e reperit.
Gjatë deklaratës hapëse, prokuroria paraqiti versionin e saj të ngjarjeve. Prokurori Marc DiGiacomo tha se Davis ndodhej në një Cadillac të bardhë së bashku me nipin e tij, Orlando Anderson, dhe dy persona të tjerë. Sipas prokurorisë, pas një përleshjeje në MGM Grand mes Tupac Shakur, pjesëtarëve të grupit të tij dhe Anderson, Davis ishte i zemëruar dhe siguroi armën, që më vonë do të përdorej në sulm.
Prokuroria pretendon se Davis dhe personat me të cilët udhëtonte panë makinën ku ndodhej Tupac, bënë një kthesë dhe iu afruan automjetit. Sipas këtij versioni, arma iu kalua personit në sediljen e pasme dhe prej aty u qëllua drejt makinës së reperit.
Një pjesë e rëndësishme e çështjes së prokurorisë mbështetet te deklaratat e vetë Davisit ndër vite. Prokurori tha se Davis ka dhënë disa rrëfime për ngjarjen, duke përfshirë një intervistë sekrete me një task-forcë federale dhe më vonë intervista publike. Në vitin 2019, Davis publikoi gjithashtu librin Compton Street Legend, ku, sipas prokurorisë, ai përshkruan rrethana që e lidhin me ngjarjet e asaj nate.
Prokuroria argumenton se zemërimi ndaj Tupac ishte i lidhur me sulmin ndaj Andersonit në MGM Grand dhe se Davis kishte si motiv hakmarrjen.
Mbrojtja, ndërkohë, e ka kundërshtuar fuqishëm këtë version. Avokati Michael Sanft kërkoi të shqyrtohet nëse ajo që paraqiti prokuroria është “fakt apo trillim”. Ai pretendoi se dëshmitarët e shtetit kanë probleme me besueshmërinë, përfshirë persona me të kaluar kriminale, interesa financiare dhe deklarata kontradiktore.
Sanft kritikoi gjithashtu mënyrën sesi policia e Las Vegasit dhe departamente të tjera e kanë hetuar çështjen ndër vite. Ai tha se disa raporte të një detektivi, Brent Becker, janë zhdukur dhe akuzoi hetuesit për punë “të njëanshme, të pakujdesshme dhe të paplotë”. Mbrojtja ngriti gjithashtu pretendime për probleme me testimin e armës së dyshuar të përdorur në vrasje.
Dëshmitari i parë i thirrur nga prokuroria ishte Garry Dale, ish-oficer i Departamentit të Policisë Metropolitane të Las Vegasit. Dale tha se më 7 shtator 1996 ishte caktuar për të punuar në Strip. Ai tregoi se atë natë kishte ndaluar një BMV të zezë pa targa. Në automjet ndodheshin Tupac Shakur dhe Marion “Suge” Knight. Sipas Dale-s, dy burrat shpjeguan se makina nuk kishte targë sepse po filmonin një videoklip. Oficeri tha se i paralajmëroi dhe u kërkoi ta vendosnin targën përsëri, përpara se t’i linin të largoheshin.
