Dje u shpall lista përfundimtare e kandidatëve për “Topin e Artë”, të cilin Messi nuk ka vend për herë të parë pas 17 vitesh. Vetëm Mbappe shfaqet si përfaqësues i PSG-së, ambicioz për të filluar të jetë protagonist i kësaj gala-je, ku vlerësohet futbollisti më i mirë në planet. Në një intervistë për “France Football”, atë që jep çmimin, francezi shpjegon se çfarë do të thotë për të kjo datë e rëndësishme.
Një çmim që i intereson – “Është gënjeshtër e madhe që futbollistit nuk i intereson ‘Topi i Artë’, është hipokrite ta thuash këtë. Të gjithë mendojmë për këtë. Ne flasim për një ekip dhe një kolektiv, sepse në një farë mënyre kjo shërben për të kamufluar ambiciet tona, por është e sinqertë të pranojmë se na intereson. Prej dy vitesh kam qenë kandidat më real për çmimin. Më parë isha i kënaqur të isha në dhjetëshen e parë. Tani jam ndër katër-pesë më të rregulltit”.
Bisedat në dhomat e zhveshjes – “Nuk flasim për ‘Topin e Artë’ në janar, por komentojmë kur dalin listat. Më vonë, ndërsa ceremonia afrohet, është padyshim temë bisede në grup. Ne vëmë bastet tona, debatojmë mendimet tona për fituesin. Edhe ne kemi të drejtë. Gjithsesi, në këto bisedime nuk marrin pjesë të gjithë futbollistët”.
Nominimi i tij i parë, më 2017 – “Sinqerisht, ishte një nder. Nuk isha në moshë madhore dhe tashmë më lidhnin me emra të mëdhenj. Mund të duket e parëndësishme, por ishte diçka e madhe. Një hap i vërtetë përpara në karrierën time. Unë u vlerësova si futbollist elitar në sytë e botës dhe ishte domethënëse që i përkisja asaj liste vetëm 18 vjeç”.
Fitimi i ‘Topit të Artë’ – “Gjithmonë kam dashur të arrij majat, pa i kufizuar ëndrrat e mia. Dua ta fitoj dhe nuk e kam problem ta pranoj. Jam i bindur se fitimi për herë të parë i ‘Topit të Artë’ është më i ndërlikuari. Pasi të keni hyrë zyrtarisht në atë grup të zgjedhur, do të jetë më e lehtë ta rivlerësoni atë. Pse? Thjesht sepse kjo njohje të lejon të fitosh legjitimitet para publikut të gjerë”.
Dueli mediatik mes Messit dhe Ronaldos – “Për një brez të tërë ishte lufta e përjetshme mes të dyve. Për një dekadë ata ndanë ‘Topin e Artë’. Në çdo ceremoni ishte kënaqësi të mendohej, nga fytyrat e tyre, se kush do ta merrte në shtëpi. Duke gërmuar pak në kujtesën time, kam një kujtim të largët edhe për atë që fitoi Ronaldinho, por asgjë të krahasueshme me skenën mes Leos dhe Cristianos”.
Messi si referencë – “Në mëngjesin e gala-së së fundit ishte nervoz, sepse disa orë më vonë do të merrte të shtatin ‘Top të Artë’. Ndoshta po mendonte se çfarë do të thonte, si do ta ngrinte trofeun. I thashë: nuk është e mundur të jesh i shqetësuar, pasi ke qenë gjashtë herë të tjera atje. Unë do të kisha shkuar me një cigare në gojë! Sidoqoftë, kjo tregon se ai ruan shpirtin e një fëmije dhe se është ende i emocionuar nëse zgjidhet më i miri. Ai nuk është lodhur duke fituar”.
Ata që nuk e morën kurrë – “Xavi dhe Iniesta sikur e fituan atë në vitin 2010. E mbaj mend atë podium dhe të gjithë kishim ndjesinë se ishte një sukses për tre lojtarët e Barçës”.
Favoritët për këtë vit – “Mendoj se Benzema, Mané dhe unë. Karim është 34 vjeç, sapo ka kaluar sezonin e jetës së tij, ka fituar një tjetër Champions League në të cilën ka qenë vendimtar. Nëse ai nuk e fiton këtë vit, atëherë unë pushoj së besuari te ‘Topi i Artë’ përgjithmonë”.