19 magjistratë që kanë ngelur në të dyja shkallët e vetting-ut, i janë drejtuar Kolegjit të Posaçëm të Apelimit duke i kërkuar rishikimin e vendimit të shkarkimit të tyre, me argumentin se anëtari që i rrëzoi nga vetting-u, ishte ish-gjyqtari i dënuar me 6 muaj shërbim prove, Luan Daci. Ky precedent vjen fill pasi njëri prej ish-prokurorëve të KLP, Besnik Cani fitoi të drejtën nga Gjykata e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, që KPA të rishikojë vendimin.
Ekspertët arsyetojnë se përveçse kërkesat nuk gjejnë terren ligjor, pasi ankuesit nuk paraqesin as prova të reja për të mbështetur kundërshtinë e tyre, vendimi i gjykatës Europiane nuk mund të aplikohet edhe për 19 ish gjyqtarët dhe prokurorët e tjerë.
Ish-prokurori Besnik Cani fitoi të drejtën e rishikimit të vendimit të shkarkimit pas padisë ngriti ndaj vendimit të KPA-së në Gjykatën Europiane për të drejtat e njeriut. Kjo e fundit thotë se vendimi nuk i imponon shtetit shqiptar një detyrim për të rihapur të gjitha rastet e ngjashme. Ka qenë Cani ai i cili e kallëzoi penalisht Luan Dacin në SPAK, kallëzim i cili përfundoi me dënimin e ish-anëtarit të shkallës së dytë të Vetting-ut.
Daci u dënua me 6 muaj shërbim prove nga Apeli i Posaçëm për falsifikim dokumentesh në formularin, që kishte dorëzuar për të qenë pjesë e trupës vetuese.
