Nga Artan Fuga
Këto ditë u diskutua nga rrethe të ngushta të interesuarish edhe për klasifikimin që “Reporterët pa kufij” i bënë nivelit të lirisë së medias në Shqipëri sikurse në të gjitha vendet e botës. Nuk po hyjmë në debatin lidhur me faktorët që mund të kenë ndikuar që vendi ynë të radhitet disa vende më poshtë sesa një vit më parë. Është një problem i ndërlikuar edhe statistikor, edhe metodologjik, sepse mënyra e vlerësimit këtë radhë kishte ndryshuar. Disa vende më lart a disa vende më poshtë nuk ka rëndësi, kur dihet se saktësisht radhitemi në ato shoqëri që kemi bërë hapa përpara drejt demokratizimit, por jemi ende shumë larg për t’u quajtur vende me demokraci të pjekur dhe të zhvilluar.
Dëshiroj të ndalem te një çështje tjetër që m’u kujtua gjithë këtë javë, më qëndronte në mend, pra te një fjali, cituar në librin “Gazetaria” të mikut dhe kolegut tim Stefan Russ-Mohl, studiuesit me origjinë gjermane që është edhe profesor i gazetarisë në Universitetin italian të Lozanës në Zvicër. Nuk dua shumë të flas në këtë shkrim për librin në fjalë, përkthyer së fundmi nga Ardian Klosi në shqip dhe botuar po prej tij, vetëm se dua të theksoj se është një libër nga i cili mund të mësojnë shumë të gjithë ata që lëvrojnë në këto fusha. E theksoj këtë, sepse nganjëherë flasim për lirinë e mediave pa bërë krahasimet e mundshme dhe duke u mbyllur në botën shqiptaro-shqiptare, e për rrjedhojë nuk mundemi ta kapim dukurinë në thelbin dhe specifikat e veta.
Lexuesi mund të pyesë se çfarë lidhje ka midis kësaj shprehjeje kaq gazmore, të hidhur, por edhe fatkeqësisht shpesh të vërtetë dhe shkallës së lirisë së mediave nxjerrë nga «Reporterët pa kufij», për vendin tonë ?
Do ta shpjegoj pak më poshtë, duhet pakëz vetëm durim.
Por, përpara sesa të bëj këtë, më duhet të them se edhe unë si të gjithë të tjerët e kam të konstatueshëm lehtësisht faktin që shpesh blogjet në gazeta, hapësirat e afishimit të rrjeteve sociale, Facebook e të tjera, sidomos kur pas komenteve fshihen njerëz me emra anonimë apo të falsifikuar, ka shumë agresivitet, mllef, sharje banale, shprehje urrejtje dhe fjalë që quhen të ndyra.
Mund të bëhet një analizë e gjerë dhe e gjatë e kësaj dukurie, por do të kërkonte një kohë tjetër dhe një vend tjetër, që ndofta do të vijë rasti të gjenden. Nuk dua as të bëj edhe moralistin për të thënë: «Sa keq!», «Çfarë janë këta njerëz?», sepse do të ishte naive. Ka shumë prej tyre, kjo është kollaj fare të evidentohet, që në fakt nuk janë njerëz fare. Por, çfarë janë? Janë aparate shërbimi marrëdhëniesh publike agjencish politike ose private që përdoren emra të paqenë, pseudonime për të bërë presion, për të fyer, për të ndaluar, për t’u mbyllur gojën individëve që guxojnë të shprehen, mirë a keq, në hapësirën publike të vendit. Sigurisht, kjo teknikë e «serial killers»-ve mund të vlejë për të ndikuar njerëzit e turpshëm, naivë, që kujtojnë se është gjemë kur bëhesh objekt i këtyre sulmeve, kurse sa për ata që e dinë si funksionon jeta publike, se çfarë është turpi dhe nderi i vërtetë, që kanë mjetet për të zbuluar me teknologjitë e informacionit se kush fshihet pas «balenës», «fikut», «dajës», «delfinit», «kauzës», etj., të gjitha këto nuk janë veçse stimujt për më shumë transparencë.
E bukur është se orkestruesit e këtyre fushatave shpesh i njeh shumë mirë, je i detyruar të ulesh në tavolinë, ndoshta të pish edhe ndonjë gotë çaj me ta dhe i sheh duke u tallur së brendshmi dhe duke konstatuar vështrimin e tyre të kryqëzuar…
Ajo që më intereson është një arsyetim i pjesshëm dy planesh. E para, sepse komunikimi në internet, duke dhënë mundësi të mëdha për të qëndruar anonim, sikurse thuhet edhe në librin e cituar më sipër, bën që shumë komunikues të ndiejnë po atë kënaqësi, dridhërimë, fërgëllimë, tmerr të mbushur me kënaqësi, sikur ndodhen të mbyllur me kyç brenda një nevojtoreje ku supozojnë se nuk i sheh njeri. Bariu, shkruan mjeshtërisht Platoni te “Republika” vuri në dorë unazën që gjeti dhe konstatoi se ajo e bënte të padukshëm. Gjëja e parë që i vajti ndër mend të bëjë ishte të hynte fshehurazi, pa u pikasur, në dhomën e princesësh dhe të flinte me të. Të bërit i padukshëm nga të tjerët duket jep kënaqësinë e pandalshme, orgazmuese, për të bërë dhe thënë gjëra që në jetën normale, në hapësirën publike të vrojtuar nga opinioni publik, askushi nuk guxon t’i thotë.
A thua është syri i tjetrit ai që na stabilizon etikisht, sepse pa të njeriu fillon e flet çaprazçe?
Mirëpo, përsëri theksoj se nuk dua të vazhdoj sot në këtë linjë: Pyetja se përse muret e Facebook-ut apo blogjet e gazetave shpesh iu ngjajnë mureve të nevojtoreve, mbetet dhe kërkon një përgjigje të thelluar.
Nuk dua të bëj moralistin. Për vete të gjitha frazat, komentet, adresimet anonime me fjalë të ndyra i fshij dhe ndaloj hyrjen e komentuesve që i kanë formuluar në hapësirat e mia të komunikimit duke i denoncuar pa asnjë emocion dhe në mënyrë cinike në autoritetet e rrjeteve të komunikimit përkatës si komente fyese dhe kërcënuese.
Pasi e bëj këtë, nuk më pengon të mendoj një gjë të kundërt. Ky shpërthim komunikimi është edhe pasojë e një mase të madhe individësh të frustruar, dhe jo vetëm të dehur fillimisht nga liria e komunikimit. Hapësirat që mediat iu japin atyre, njerëzve të thjeshtë, qytetarëve të zakonshëm, pavarësisht se ata mund të jenë edhe me formim universitar dhe të shtresave të mesme, është shumë e ngushtë.
Media është juridikisht e lirë, por hapësirat që në to të shprehet substancialisht dhe gjerësisht qytetari janë të ngushta, pothuajse të pamundura. Grupi i njerëzve që kanë akses në media është bërë gjithnjë e më i vogël dhe rrethi i problemeve që ata marrin përsipër të trajtojnë është bërë gjithnjë e më i gjerë dhe më i ndërlikuar. Kuptohet pastaj se çfarë vjen nga këto dy prirje që në sociologjinë e mediave janë shpjeguar gjerësisht dhe më së miri. Nuk ka nevojë të bëhen zbulime…
Në këto kushte mllefi social gjen një të çarë ku të shprehet dhe dihet që çdo opinion i frustruar gjatë, i pamundur të artikulohet lirshëm, mbushet rrugës me mllef dhe shprehet me agresivitet dhe me një etikë të caktuar nevojtoreje në hapësirat e pakontrolluara të komunikimit në Internet. Poshtërimi i tjetrit pa u venë re nga ai është një lloj pushteti që për disa jep një kënaqësi marramendëse si një lloj sadizmi psikologjik i shkaktimit të mundimit për tjetrin.
Prandaj kur vijmë te koncepti kaq kontradiktor, kaq i ndërlikuar, kaq shumëplanësh, i lirisë së mediave, ka vend të mendojmë për shumë tregues dhe njeri prej tyre është pikërisht gjuha e urrejtjes simbolike në komunikimin anonim në internet.
Tani le të vijmë te thelbi i problemi, atje ku dëshiroja të mbërrija.
Ajo që quhet “liria e mediave” veç anëve të tjera shumë komplekse, ka edhe një vështirësi tjetër analize, sepse përmban regjistra, nivele, aspekte të ndryshëm. Nga ngatërrimi i tyre, nga konfuzioni terminologjik që vjen prej padijes apo nxitimit, analiza bëhet e pamundur.
Përqendrohemi në një çështje.
Studiuesi dhe profesori Russ-Mohl në një cep të librit të vet nuk qendron pa artikuluar shprehjen e bukur se “Mediat janë të ftohta, kurse gazetaria është e nxehtë.” Nuk do të qëndroj gjatë të përpiqem ta shpjegoj këtë shprehje sepse do të duheshin orë të tëra debati, por, e bukur dhe e saktë, sikurse është, ajo bën dallimin e madh, kapital, thelbësor, midis mediave dhe gazetarisë.
Tjetër është liria e mediave.
Tjetër është liria e gazetarit.
Tjetër është liria e informacionit.
Tjetër është liria e shprehjes në hapësirën publike.
E kështu me radhë, duhen hequr disa lëkura për të bërë të mundur analizën e të gjitha shtresave të problemit. Këto shtresa edhe mbivendosen mbi njëra-tjetrën, por edhe kanë dallime dhe prirje kontradiktore mes tyre.
Kush mund të pretendojë që të jetë ndryshe dhe logjika e fitimit në një shoqëri të egër tregu sikurse është kjo jona të mos bëhet arsyeja instrumentalizuese e administrimit të industrisë së mediave? Do të ishte naive të pritej diçka krejt tjetër.
Prandaj kur flitet për aleanca mes industrialistëve të medias dhe politikanëve të anëve të ndryshme kjo nuk ka të bëjë me lirinë e medias si industri informacioni. Ajo sjell mungesa dhe vështirësi në praktikën e gazetarisë si profesion, por jo në praktikat dhe strategjitë e grupeve të industrisë së mediave. Nuk dihet biles nëse është politika që i përdor dhe i robëron mediat, apo është industria e medias që i përdor dhe i gllabëron politikanët. Më tepër kemi një proces të ndërsjellë interesash që racionalizohen në mënyrë instrumentale, sesa një mbisundim të njërit aktor kundrejt tjetrit.
“Gazetaria është e nxehtë”, shkruan kolegu me të drejtë. Sigurisht, sepse mund të ndodhë dhe zakonisht ndodh që media është realisht e lirë, pavarësisht se në aleancë me këtë apo atë forcë politike, kurse gazetari nuk është e tillë. Liria e medias dhe liria e gazetarit janë dy anë të ndryshme, shpesh kontradiktore. Interesat e grupit industrialist të informacionit masiv nuk përkojnë përherë me një gazetari të lirë, në kuptimin e një pavarësie të gazetarit për të shprehur lirshëm të gjitha informacionet, faktet, opinionet, investigimet e tij.
Nuk mundet që gazetari të justifikohet duke thënë se nuk më lejon pronari të shprehem lirshëm. Është një justifikim. E para sepse mund të gjendet një mundësi punësimi në ato media ku linja editoriale përkon pak a shumë me bindjet e gazetarit apo të analistit. E dyta sepse midis një praktike të pavullnetshme gazetarie dhe bërjes së një pune tjetër ka një liri zgjedhjeje. Jo të gjithë qytetarët janë gazetarë, biles jo të gjithë ata që përfundojnë studimet për gazetari mund të bëhen të tillë. E treta, sepse format e rezistencës ndaj ndrydhjes industrialiste janë të shumta dhe të japin kënaqësi në jetë. E katërta sepse gazetarët – “yje” janë kaq të fuqishëm saqë ata nuk ka linjë redaksionale që mund t’i pengojë. E pesta, sepse profili i gazetarëve të frustruar nga censura e grupeve industriale mund të jetë në atë shkallë sa edhe t’i bëjë të vlefshëm për shoqërinë dhe të mos i vendosë në kundërshtim me pushtetin brenda ndërmarrjes ku punojnë. Nëse nuk bën dot analistin politik, provo se mbase shkëlqen në komentatorin e ndeshjes së gjelave në fshat…
Puna është të arsyetohet se deri ku liria e mediave bie në kundërshtim me lirinë e gazetarit. Nëse gazetari bëhet palë me pronarin për t’i shërbyer lirisë se mediave në kundërshtim me lirinë e gazetarisë, atëherë ai duhet ta dijë se po e paguan këtë me një çmim shumë të rëndë, atë të konsumimit të tij moral të shpejtë para publikut, pra me rrezikun e flakjes nga profesioni.
Mirëpo edhe liria e gazetarit nuk është gjithçka sepse tjetër është liria e gazetarit dhe tjetër fare është liria dhe e drejta për informacionin e saktë dhe objektiv që duhet të gëzojë publiku. Kolegu Stefan Russ-Mohl shkruan në librin e tij se gazetari nuk mund të njehsohet as me kauzat e drejta lëre pastaj me kauzat e padrejta dhe fushatat propagandistike për qëllime egoiste.
Gazetari e lirë, ende nuk do të thotë ende edhe respektim i lirisë dhe i së drejtës të publikut për informacion të saktë dhe të lirë. Shpesh herë manipulohet rëndë duke thënë se gazetari militant, i radhitur në njërën anë, nuk i sjell ndonjë të keqe publikut, megjithëse ai thotë gjysmën e së vërtetës. Gjysmën tjetër pretendohet se e thotë kundërshtari i tij, gazetari militant i krahut tjetër. Publiku kështu i ka të dyja interpretimet e mundshme.
Nuk ka teori dhe spekulim më të paudhë sesa ky. Bashkimi dy gjysëm i të vërtetave për të na dhënë të vërtetën e plotë është një justifikim që mbron lirinë e gazetarit kundër lirisë të informacionit të saktë. Interpretimet e skajshme militante lenë në errësirë dhjetëra fakte dhe mundësi analizash bazuar mbi to dhe publiku nuk mund të informohet.
Liria e informacionit dëmtohet pikërisht prej militantizmit të skajshëm të aktorëve që kanë përsipër të ndërtojnë dhe transmetojnë informacionin.
Një nga ekspertët më të mëdhenj botërorë të informacionit, Watlawick e shpreh kështu këtë absurditet:
Babai i thotë djalit: Zgjidh lirshëm or bir se çfarë do të bësh sot. Ose shko ruaj derrat, ose merr ushqe pulat!
Watzlawick-u këtë e quan teoria e alternativës kontradiktore fallco.
Djali mund të manipulohet dhe të rreket të zgjedhë midis tyre. Po nuk diti më shumë nuk ka se çfarë bën, do të zgjedhë mes të dyjave, sepse nuk e di se ka edhe mundësi të tjera, të lahet në lumë, të shkojë në tregun e qytetit, të luajë futboll, të bëjë dashuri, etj.
Liria e gazetarit militant cënon rëndë lirinë e qytetarit për të marrë informacion objektiv dhe të plotë.
Mirëpo edhe nëse të gjitha këto liri respektohen, përsëri mbetet një liri tjetër që po tkurret dita ditës. Liria e qytetarit për t’u shprehur në hapësirat publike, pra në mediat e vendit të tij. Është e dhimbshme kur konstaton se edhe kur sheh ndoca përfaqësues gjoja të shoqërisë që flasin në hapësirat e diskutimit publik dihet se pas tyre ka një mbështetje të nëndheshme prej partive politike.
Qytetarët nuk e kanë këtë mundësi. Dikush mund të më thotë : E more Fuga çfarë e ke këtë populizëm! Përkundrazi, do të përgjigjesha, e kundërta është populizëm.
Në vend të merren qytetarë të ndriçuar nga një fushë, me kompetenca në të, për të diskutuar rreth çështjeve të urbanistikës, transportit, tregtisë, financave, marrëdhënieve ndërkombëtare, teknologjive të reja, etj., të gjitha përballohen me kollajllëk nga të njëjtët analistë gjeneralistë apo gazetarë gjeneralistë përpara një publiku masiv që pengohet të marrë vesh teknikisht sesi qëndron çështja.
Pastaj, vreri shpërthen nëpër kanalet anonime të informacionit me lloj-lloj “serial killer”-ash virtualë, tribunësh anonimë, sharësish profesionistë, pas të cilëve fshihen edhe zyra strategjike marrëdhëniesh publike…
Muret e komunikimit në internet nisin të duken si mure wc-sh publike.