Ditën e sotme, në orën 13:00, në selinë blu është njoftuar se do të mbahet një mbledhje e gjerë e deputetëve të Partisë Demokratike. Në këtë mbledhje pritet të jenë të pranishëm të gjithë deputetët, pavarësisht nëse deri më tani kanë qënë në krahun e Berishës apo atë të Bashës.
Mësohet se dy do të jenë çështjet primare që do të shtrohen për diskutim në këtë mbledhje:
E para lidhet me atë që mbështetësit e Berishës e cilësojnë si “procesi i ribashkimit të partisë”. Pika kryesore e diskutimit për këtë çështje do të jetë fakti nëse ka apo jo një proces ribashkimi në PD dhe si po ecet me të? Mbështetësit e Berishës thonë që ka dhe kjo tregohet edhe përmes mbylljes së procesit të zgjedhjeve për 80% të kryetarëve të grupseksioneve, gjë e cila do të lejojë edhe me kalimin në zgjedhjet për krerët e degëve të partisë.
Ndërkaq, një grup deputetësh të PD mendojnë se në fakt ky nuk është një proces ribashkimi, por vendimmarrje e njëanshme e mbështetësve të Berishës pa marrë në konsideratë realitetet në bazën e partisë.
Pika e dytë që do të trajtohet pritet të jetë diskutimi mbi debatet dhe përplasjet brenda kësaj partie gjatë gjashtë muajve të fundit që kur Berisha u përjashtua nga Grupi Parlamentar.
Pyetja që kuriozon të gjithë në lidhje më këtë mbledhje është nëse Basha do të jetë apo jo i pranishëm në të apo jo? Nga sa është mundur të mësohet deri tani, ai nuk do të marrë pjesë në mbledhjen e orës 13:00.
