Asambleja Socialiste është mbledhur në Shkodër një ditë më parë.
Një nga kërkesat kryesore të artikuluara prej opozitës, ajo për zgjedhjet e 2025 me qeveri teknike, rrëzohet nga mazhoranca.
Sekretari i Përgjithshëm i PS, Blendi Klosi e deklaroi prerazi nga Shkodra pas mbledhjes së Asamblesë Socialiste, se në zgjedhje shkohet me këtë qeveri dhe kryeministër Edi Ramën.
Ai foli për përgatitjet që po bëjnë socialistët për vitin e ardhshëm, ku synojnë një tjetër fitore të thellë përballë kundërshtarit, për të vijuar reformat dhe objektivin për anëtarësimin në BE brenda 2030.
Klosi vuri theksin tek roli që do të ketë vota e diasporës, një prej risive të zgjedhjeve të vitit 2025.
“Është periudhë pune në të gjithë Shqipërinë, një punë e zhvilluar për Shqipërinë e 2030, po fillojmë zyrtarisht fushatën tonë elektorale brenda strukturave tona që kur të fillojë fushata elektorale zyrtare të kemi përgatitur të gjithë partinë dhe territorin për të pasur një rezultat shumë të thellë të 2025-ës dhe garantuar një shtrat shumë të thellë të kësaj partie për realizimin e vizitonit të Shqipërisë Evropiane të 2030. Sot ishim në Shkodër së bashku me drejtuesin politik, duke përgatitur detyrat tona elektorale që kanë të bëjnë jo vetëm me sistemin e patronazhimit, por edhe me emigrantët dhe përgatitjen e strukturës në të gjithë Shqipërinë për të qenë të gatshëm në zgjedhjet e ardhshme”, tha Klosi.