Premtimi i presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pas mbledhjes urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe takimit me drejtuesit e Listës Serbe, është se “nuk dorëzohemi, dhe se targat KM do të mbesin”. Po ashtu Vuçiç konfirmoi paralajmërimin e Listës Serbe se zbatimi i vendimit të qeverisë së Albin Kurtit për sekuestrimin e targave do të hasë në bllokimin e të gjithë veriut të Kosovës.
“Plani i tyre është që targat KM të largohen nga territori i Kosovës për në atë të Serbisë qendrore dhe më pas të mos lejohet hyrja e tyre në territorin e krahinës autonome serbe nga Jarinja dhe Bërnjaku. Por kjo me siguri do të hasë në rezistencën demokratike nga populli serb dhe shteti i Serbisë nuk do të lejojë persekutimin dhe vrasjen e popullit të saj”, tha Vuçiç.
Presidenti serb tha se pret që Kosova javën e ardhshme të hyjë në procedurën e pranimit në Këshillin e Europës. I pyetur për rezultatin që pritet nga kjo lëvizje, ai nënvizoi se Serbia është e rrethuar në të gjitha anët dhe se nuk mund të bëjë asgjë.