Shpërthimi i pandemisë së COVID-19 është shoqëruar njëkohësisht edhe me shumë teori konspirative dhe ato duket se mbështeten edhe nga sportistë të njohur. Një prej tyre është edhe mbrojtësi i Liverpulit, Dejan Lovren, i cili ka polemizuar në rrjetet sociale kundër Bill Gejts, themeluesit të “Microsoft”.
Mbrojtësi i Liverpulit ka komentuar në një postim të informaticienit e tashmë biznesmenit amerikan, ku ai falënderonte mjekët dhe personat e tjerë të kujdesit shëndetësor për punën e tyre. Kroati shkruante “Game over Bill. People are not blind!” (Mori fund Bill. Njerëzit nuk janë të verbër). Sipas mediave angleze, ky postim vjen nga fakti se Lovren është një mbështetës i Davic Icke, një prej personave më të ndjekur në Angli sa i përket teorive të komplotit e konspiracioneve.
Sipas Icke, virusi shpërndahet nga rrjetet telefonike 5G dhe çdo vaksinë në të ardhmen do të ketë brenda saj mikroçipe për të kontrolluar personat. Lovren ka shpërndarë shpesh video e postime të personit në fjalë dhe e cilëson veten “pjesë të rezistencës”.
