Menemenspori është një nga klubet më të interesuara për futbollistët e Kategorisë Superiore. Turqit kanë tashmë në organikën e tyre portierin Gentian Selmani dhe mbrojtësin David Domgjoni. Ndërkohë, së fundmi është konkretizuar edhe interesimi për mbrojtësin e Partizanit, Eneo Bitri.
Është vetë futbollisti që ka pohuar për RTSH Sport se ka një mundësi për të ndryshuar ambient, megjithatë thekson se fatin e tij e ka në dorë Partizani dhe se nëse klubi e pranon ofertën atëherë ai do të ishte dakord.
“Këto informacione janë të vërteta. 2-3 ditë më parë kam biseduar me Menemensporin. Në mos gaboj, interesimi ka nisur që para 1 muaji. Disa menaxherë të klubit kanë kontaktuar dhe më pas nisën bisedimet. Fatin tim e ka Partizani në dorë. Nëse klubi e pranon ofertën, edhe unë jam dakort. Nëse Partizani thotë ‘jo’, do të pajtohem me këtë vendim. Unë përsëri ndihem shumë mirë këtu”, u shpreh Bitri.
