Në Sicili kishin pritur 7 vite për derbin mes Palermos dhe Katanias, për herë të fundit të luajtur në Serinë A, por ai që kanë parë sot në Serinë C, ka qenë më i pazakonti në historinë mes dy skuadrave. Ndeshja është mbyllur me barazimin 1-1 dhe për të gjithë, është cilësuar si një sukses i jashtëzakonshëm i Palermos. Jo nga diferenca cilësore në përbërjen e dy skuadrave, por nga situata e pazakontë që kalonte.
Palermo ka vuajtur infektimin me COVID-19 të shumë lojtarëve gjatë javëve të kaluara por më në fund kishte arritur që të bënte një 18-she për derbin që luhej sot dhe që ishte padyshim i shumëpritur. Por në mëngjes, pasi janë kryer tamponët, janë zbuluar 7 lojtarë të cilët rezultonin ende pozitiv ndaj COVID-19, të gjithë asimptomatikë. Një prej tyre ishte edhe mbrojtësi shqiptar, Masimiliano Doda, i cili pritej të kishte një rol protagonisti në duelin e sotëm.
Kështu, ekipit i mbetën në dispozicion vetëm 11 lojtarë e si për ironi të fatit, edhe një portier rezervë në pankinë. Klubi vendosi që të luante gjithsesi ndeshjen dhe zbriti në fushë me një formacion të improvizuar dhe me vetëm një portier si zëvendësues në stol. Edhe kështu, ia doli që të merrte një barazim 1-1, ndërsa duhet theksuar se ndeshja ishte 1-0 për Palermon deri në minutën e 80 të kësaj sfide ku ashtu siç pritej, trajneri nuk bëri asnjë zëvendësim.
