Shqipëria finalizoi sot serinë e dialogëve kombëtarë të sistemeve ushqimore si një mundësi e mirë për përfshirjen dhe angazhimin e aktorëve kryesorë në përmirësimin dhe aksesimin e sistemeve ushqimore të qëndrueshme në vend, në prag të Samitit të Sistemeve Ushqimore të OKB, në shtator 2021.

Takimi i kombinuar me lidhje virtuale, i organizuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në bashkëpunim të ngushtë me FAO dhe Koordinatoren e Përhershme të Kombeve të Bashkuara (OKB) në Shqipëri, mikpriti të ftuarit nga organizatat e tjera ndërkombëtare UNDP dhe UN Women në Shqipëri, akademikë, dhe përfaqësues nga ministritë e linjës.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi duke falënderuar organizatorët, si dhe vëmendjen e shtuar të organizatave të OKB, gjatë fjalës së saj u ndal tek pesha e madhe që zë bujqësia në prodhimin e brendshëm bruto, si dhe nevojën që kërkohet për modernizmin dhe dixhitalizmin e sektorit.

Ministrja Ekonomi deklaroi se “dialogët janë një mundësi e jashtëzakonshme për të gjithë për të kontribuar në përcaktimin e rrugëve që do të çojnë në “forcimin kolektiv” të Sistemeve të Qëndrueshëm të Ushqimit, për ta bërë këtë vizion një realitet për të gjithë. Qëllimi i dialogëve kombëtarë në Shqipëri shkoi në të njëjtën linjë me atë të Samitit të Sistemeve Ushqimore për të transformuar mënyrën se si bota prodhon, konsumon dhe mendon për ushqimet brenda kontekstit të Axhendës 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm si dhe për të përmbushur sfidat e varfërisë, sigurisë ushqimore, kequshqyerjes, rritjes së popullsisë, ndryshimit të klimës dhe degradimit të burimeve natyrore”.

“Në kontekstin e përgatitjes së Samitit të Shtatorit nga OKB dhe para samitit të javës së ardhshme në Romë, ne si vend konfirmojmë angazhimin tonë maksimal në përmbushjen e objektivave të qëndrueshëm, duke patur në konsideratë ndryshimet klimatike dhe prezencën e pandemive si COVID-19”, tha ministrja Ekonomi.

Më tej Ekonomi u shpreh se “duke iu bashkuar thirrjes së OKB për një botë që askush nuk duhet të jetë më i uritur, i varfër dhe kequshqyer, lind nevoja për ndërtimin e sistemeve që kanë aftësi në përballjen e sfidave të kohës, të reflektuara edhe në strategjinë e re kombëtare për zhvillimin bujqësor. Ndaj rekomandimet e kësaj tryeze do jenë të rëndësishme për tu përfshirë në strategjinë e sektorit”.

Koordinatorja e Përhershme e Kombeve të Bashkuara, Fiona McCluney, vlerësoi serinë e dialogëve me pjesëmarrje të lartë edhe nga organizatat e tjera të Kombeve të Bashkuara, sektori privat, Universitetin Bujqësor të Tiranës, ekspertë të sektorit duke inkurajuar organizatorët për konkluzione të forta që ndikojnë në angazhimin global për ngritjen e sisteme ushqimore të qëndrueshme të ushqimit.

“Me qëllim arritjen e 17 Objektivave të Qëndrueshme dhe axhendës 2030, kërkohet të jemi gati për transformimin e sistemeve ushqimore dhe siguruar cilësi të ushqimit dhe dieta të shëndetshme dhe të përballueshme për gratë, burrat dhe fëmijët, duke lejuar gjithpërfshirje në rritjen ekonomike dhe barazinë sociale”, tha McCluney duke vlerësuar se përmes këtyre dialogëve u mundësua që partnerët të përfshihen, të vërejnë dhe të japin rekomandime mbi çështjet thelbësore.

Më tej, konkluzionet e paraqitura nga diskutantët do të pasojnë zhvillimet e mëtejshme në Presamitin e Romës, javën e ardhshme (26-28 korrik), ku Shqipëria do të përfaqësohet nga ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here