Këtë të premte, edhe operatori kombëtar hekurudhor i Finlandës u shpreh se duke filluar që nga e hëna, do të pezullojë të gjitha shërbimet midis Helsinkit dhe Shën Petersburgut në Rusi, duke mbyllur kështu një nga rrugët e fundit të transportit publik drejt Bashkimit Evropian për rusët.
Sipas asaj që shkruajnë mediat e huaja, operatori “VR” ishte urdhëruar nga shteti se nuk ishte më e përshtatshme për të drejtuar shërbimin hekurudhor, “Kështu që ne po pezullojmë trafikun për momentin,” mësohet të ketë thënë kreu i trafikut të pasagjerëve, Topi Simola.
Ndërkaq, kujtojmë se trenat nga Rusia për në kryeqytetin e Finlandës, Helsinki, kanë qenë plot me rusë që nga pushtimi i Ukrainës. Kufiri midis Finlandës dhe Rusisë mbetet i hapur për kalime me makinë private.
