Komisioneri për zgjerimin e Europës, Oliver Varhelyi është vetëizoluar në shtëpinë e tij. Përmes një statusi në rrjetet sociale, Varhelyi ka bërë me dije se një prej anëtarëve të stafit të tij ka rezultoar pozitiv me koronavirus dhe për këtë arsye, ai është karantinuar.
Ndërkohë, testi i parë, Oliver Varheliyn e ka nxjerrë negativ për Covid-19, por pas dy javësh në izolim, ai do të bëjë një tjetër test.
“U informova sot se një anëtar i ekipit tim doli pozitiv për # COVID19. Në pritje të rezultateve të reja të testit, unë dhe anëtarët e ekipit po vet-izolohemi në përputhje me udhëzimet e shëndetit publik. Ndihem mirë, nuk kam simptoma, testet e mia gjatë javës së kaluar ishin negative. Qëndro i sigurt!”– shkruan Varhelyi.
Të mërkurën Oliver Varhelyi ishte në Shqipëri, ku takoi të gjithë krerët e politikës shqiptare. Ai madje, mbajti edhe fjalën në foltoren e Kuvendit të Shqipërisë. Të nesërmen, Varhelyi udhëtoi drejt Kosovës ku gjithashtu zhvilloi takime me krerët e politikës, ndërsa ditën tjetër vizitën e zhvendosi në Serbi.
