Janë mbyllur pikat e basteve në Shqipëri, por shumë prej tyre janë transferuar në Kosovë e Maqedoni. Mësohet se në disa vende është traditë që natën e Vitit të Ri të luhet bixhoz, pasi sjell fat. Në Shqipëri dje ishte hera e fundit që kjo lejohej. Që sot kazinotë, pikat e basteve, përfshirë dhe ato online nuk do të ekzistojnë më.
Në kryeqytet dhe qytetet e tjera të vendit janë të rralla bastet të cilat ende nuk kanë hequr logot, ndërsa kazinotë duket se kanë shfrytëzuar të gjitha limitet ligjore për të funksionuar deri në orët e fundit.
Qeveria vendosi që të mbyllë të gjitha pikat e basteve, në total në Shqipëri numëroheshin 4 200 pika.
Po ashtu mbyllen edhe kazinotë, zhvillimi i këtyre lojërave do të lejohet vetëm në resortet me 5 yje që do të ndërtohen në të ardhmen. Industria e kumarit ka deklaruar se mbyllja do të sjellë afro 7 mijë të papunë, dhe në buxhetin e shtetit do të mungojnë 25 milionë dollarë që derdheshin nga taksat e kompanive në këtë treg.
Vlerat që janë luajtur në kazino dhe baste arrijnë qindra milion euro. Në 6 vite, shqiptarët kanë shpenzuar në këtë industri 592 milion euro. Me këto shifra, i bie që çdo qytetar i në Shqipëri, mbi 18-vjeç, të ketë luajtur të paktën njëherë 280 euro në lojëra fati.