Pas një harrese 30-vjeçare, mbyllet venddepozitimi shumë problematik i mbetjeve në Burrel,që ishte kthyer helmues për banorët dhe gangrenë për mjedisin.
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro sëbashku me Kryetarin e Bashkisë Agron Malaj inspektuan venddepozitimin e mbetjeve në këtë bashki.
Kryebashkiaku Malaj nënvizoi se krahas rehabilitimit të zonës nga plehrat, deri në nëntor do të mbillen rreth 4 mijë pemë të reja duke e kthyer atë dhe në një park. “Ky është venddepozitim 30-vjeçar. Para 3 vitesh ishte e gjitha një mal me mbeturina. Bëmë një ndërhyrje rehabilitimi total duke e mbyllur tërësisht si venddepozitim. Kemi filluar dhe pjesën e mbjelljes së pemëve. Ka qenë një masakër mjedisore, madje në momentin kur e gjetëm kishte gaz, lëndë helmuese. Qytetarët zgjoheshin me tymin e plehrave të qytetit. Tani është bërë një rehabilitim që shpresojmë deri në nëntor nga 2 mijë të shkojmë në 4 mijë rrënjë pemë të mbjellura”, tha Malaj.
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro u shpreh se pastrimi i mjedisit është një sfidë për të gjitha bashkitë. Kumbaro përgëzoi punën e mirë të bërë nga Bashkia Mat dhe për shërbimin e ofruar ndaj qytetarëve.
“Ajo që është e rëndësishme është që këtu puna që ka bërë bashkia për mbledhjen e gjithë këtij mali të tmerrshëm me plehra që ka qenë një ndotje helmuese dhe kancerogjene ka marrë fund. Po mbillen me pemë dhe po i japim zgjidhje pastaj vazhdimësisë së menaxhimit të mbetjeve për vitet që vijnë derisa të bëhet investimi i madh që kemi me BE-në për landfillin e qarkut të Kukësit dhe të Dibrës. Jemi në rrugën e duhur, por dhe për t’i dhënë qytetarëve shërbimin e duhur”, nënvizoi ajo.
Kryebashkiaku Malaj falenderoi dhe bizneset për mirëkuptimin që kanë me Bashkinë për menaxhimin sa më të mirë të pastrimit të qytetit. “Ne si bashki kemi bërë marrëveshje me bizneset. Kemi gjetur një mirëkuptim që pas orës 20:00 të gjitha bizneset, mbetjet me qese që kanë t’i hedhin në koshat e plehrave. kjo bën me eficente edhe pastrimin”, theksoi Malaj.
