Debate, akuza dhe tone të ashpra, ndërsa kryefjalë ishte çështja ‘McGonigal’. E tillë ishte seanca e sotme plenare, ku në gati 2 orë e gjysmë deputetë të opozitës u përplasën me qeverinë ‘Rama’.
Ndonëse në rend dite ishte parashikuar një interpelancë me kryeministrin Edi Rama, i thirrur nga deputetë të grupit të Alibeajt, kreu i qeverisë ka munguar në seancë, duke ia deleguar ‘detyrën’ ministres për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali.
Pas komunikimit që bëri kryeparlamentarja Lindita Nikolla, kjo gjë solli debate dhe tensione në sallë.
Deputetët e PD-së bllokuan disa herë foltoren, duke bërë që Nikolla të ndërpriste dy herë seancën, por pa asnjë rezultat në fund.
Nga ana tjetër deputetët opozitarë kundërshtuan mospraninë e Ramës në sallë duke i rënë tavolinave me duar e duke bllokuar foltoren.
Duke marrë shkas nga kjo situatë, Nikolla përjashtoi nga salla Gazmend Bardhin, ndërsa paralajmëroi të tjerët me të njëjtën masë.
Por, pavarësisht situatës kaotike në sallë, kryeparlamentarja Nikolla vijoi me miratimin e rendit të ditës, duke kaluar projektligjet vetëm me votat e maxhorancës.
