Policia ka kryer monitorim me radarë e alkooltestues në rrugën interurbane Tiranë – Elbasan – Tiranë – Durrës -Tiranë dhe në orët e mbrëmjes në aksin në unazën lindore Farkë-TEG dhe Sauk-TEG, për të parandaluar shpejtësinë tej normave të lejuara dhe drejtimin e mjetit nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.
Si rezultat i monitorimit me radar në aksin Farkë-TEG e Sauk-TEG, Policia Rrugore e Tiranës konstatoi 18 raste të shpejtësisë tej normave të lejuara, që varionin 131 km/h deri në 169 km/h. Drejtuesve të automjeteve iu pezullua leja e drejtimit nga 2 muaj deri në 10 muaj, pasi disa prej tyre ishin shkelës të disa rregullave të ndryshme të qarkullimit rrugor.
Gjithashtu, u konstatuan dhe 30 raste me shpejtësi nga 118 km/h deri në 127 km/h. Drejtuesit e mjeteve u ndëshkuan me masë administrative 2.000 lekë deri në 4.000 lekë të rinj secili.
Nga monitorimi me alkooltestues, në të gjitha rrugët e Tiranës janë evidentuar dhe arrestuar në kushtet e flagrancës 4 drejtues mjetesh, në gjendje të dehur.
Gjithashtu, janë pezulluar 12 leje drejtimi, për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, si dhe janë vendosur 15 masa administrative me vlerë nga nga 5.000 lekë deri në 15.000 lekë të rinj, për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit.
