Xhoana Kurti ka rrëfyer momentin e vështirë kur partneri i saj, Ergys Dashi u vra në Ekuador me 20 plumba mbrëmjen e 23 Janarit të vitit 2022.
Xhoana Kurti, e cila ishte 9 muajshe shtatzënë në pritje të djalit të tij, rrëfeu se atë natë i dërguan në telefon një foto të tij ku shihej i shtrirë në tokë i pajetë.
Ajo ka treguar se kanë jetuar së bashku në Ekuador, por vetë ishte kthyer në Shqipëri.
“Ishte ora 2 e natës, po e merrja në telefon. Ndërkohë më merr edhe një shok i tij që më thotë ‘Thuaji të më hapë telefonin, se kam një punë’. Thjesht më vjen një foto nga një numër që se njihja fare dhe më pyet a është Ergysi. Kalova në shok. Më kanë sjellë foton e tij të vrarë në tokë. Ai ishte i shtrirë në tokë, mbaj mend shumë pak nga ajo ditë.
Kam bërtitur shumë ‘Kanë vrarë Ergysin’ se isha me një shoqe. Po merrja në telefon njerëzit atje për t’i pyesur a ishte e vërtetë, se kam jetuar në Ekuador me Ergysin. Po shpresoja të ishte gjallë, pasi ishte me kurriz. Kur më konfirmuar vdekjen thjesht jam mpirë, nuk mbaj më mend asgjë”, tha ajo e ftuar në “Glamour Zone”.
Xhoana Kurti tregoi se nuk e dinte që Ergys Dashi merrej me drogë, por vetëm që kishte një kompani bananesh.
“Atë ditë nuk isha mirë, isha në ankth. I thashë “Mos dil nga shtëpia”. E dija që ishte përfshirë në probleme, por nuk e dija që ishte aq madhore. Më mbante larg punëve që ai merrej, madje e dija që thjesht kishte kompani bananesh. Më tha që ‘më pëlqen të jetoj këtu, se kam pasur problemet e mia në Shqipëri’. Kaq dija unë nga ai”, thotë Xhoana Kurti.

Ajo rrëfeu se në mesazhin e fundit që shkëmbyen bashkë, i kërkoi Ergysit që të kthehej në Shqipëri, por ai i kishte thënë që të bëhej e fortë dhe se do i kalonte të gjitha.
Pas vdekjes së tij, Xhoana tregoi se familja dhe shoqëria e tij mohuan se djali që ajo priste ishte i Ergysit dhe sipas sij gjithçka u bë për pjesë pasurie.
“Në mesazhin e fundit i thashë jam shumë e mërzitur, nuk mundem më, hajde për Shqipëri. Më tha “mos u mërzit o jetë se do i kalosh të gjitha sprovat në jetë, je shumë e fortë.
Në fillim kisha vështirësi, nuk kam pasur asnjë afër. Kisha shumë veta kundër, isha thjesht një fëmijë, 21-vjece shtatzënë. Filluan të mohonin fëmijën, ‘jo nuk është i tij’. E gjitha u bë për pjesë pasurie. Unë hoqa dorë ‘i thashë kam qenë e lidhur me personin në fjalë, jo me pasurinë. Thjesht më lini rehat’. Kam pasur shumë fjalë, jo ku del ajo, ja po del. Familja dhe shoqëria e tij”, shtoi ajo.
