Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj, gjatë një takimi elektoral në njësinë numër katër në Tiranë premtoi se në mandatin e ardhshëm qeveria do të japë 10 mijë lekë në muaj për çiftet e reja për dërguar fëmijët në çerdhe private.
Ahmetaj theksoi se pala tjetër nuk ka dhënë as lekët e invalidëve kur ishte në qeveri, duke shtuar se maxhoranca socialiste mendon për shëndetin e qytetarit.
“Më thoni në çfarë vendi të botës ka ndodhur, që në shpatullat e një qeverie dhe të një kryeministri të bien dy fatkeqësi të mëdha si tërmeti dhe pandemia. A do të donit qeveri që ka bërë 21 janarin, që nuk iu dha bukën e gojës invalidëve. Ne iu dhamë shtëpi falas dhe ne merremi me politikë që të ndihmojmë njerëzit e prandaj duhet të votojmë Edi Ramën, PS-në, numrin 12.
Ne jemi qeveri shumë e përgjegjshme që mendojmë për qytetarin. Ata bënë 1997, kur këtu ishte si ata filmat horror, me zjarr e me të vdekur. Ne bëmë të mundur që librat nga klasa e parë në të nëntë të jenë falas. Bonusi i bebes u bë realitet nga ne. Ne do të japim 10 mijë lekë në muaj çifteve të reja për të çuar fëmijët në çerdhe private. Ky quhet bonusi i çerdhes. Kjo sepse ne mendojmë për qytetarët e këtij vendi. Taksa progresive është e drejtë dhe taksa e sheshtë është shkatërruese për qytetarët”, u shpreh Ahmetaj.
