Telegrafi britanik, shkruan se “Lideri i Serbisë shpalli fitoren në zgjedhje, pas akuzave se ka sjellë 40 mijë njerëz në Beograd me autobus”. Po ashtu në shkrim nënvizohet se projeksionet tregojnë se SNS ka fituar 38 për qind në kryeqytet, ndërsa SPN ka fituar 35 për qind.
Kishte pretendime se votuesit paguheshin për të votuar dhe u bëheshin presione, si dhe raporte se një ekip vëzhgimi ishte sulmuar. Partitë opozitare akuzuan edhe partinë në pushtet për “ryshfet të votuesve, mbytje të lirisë së mediave, dhunë ndaj kundërshtarëve, korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar”.
Presidenti i Serbisë mohon të gjitha akuzat për ndonjë manipulim zgjedhor, transmeton kjo media. Siç raporton Telegrafi britanik, “Serbia dhe Rusia kanë lidhje historike dhe Beogradi, i cili varet nga gazi rus, nuk iu bashkua Perëndimit në sanksionimin e Rusisë për pushtimin e saj në Ukrainë”.
“Ne mirëpresim arritjet e zotit Vuçiç”,-tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov. Ai foli për Serbinë, kandidate për anëtarësim në BE, si një vend “vëllazëror”, duke shtuar se Moska shpreson se rezultati do të çojë në “forcimin e mëtejshëm të miqësisë”.
Një numër i konsiderueshëm i serbëve e përkrahin Moskën në luftën në Ukrainë dhe e urrejnë NATO-n, e cila mbështet Kievin, për shkak të sulmit ndaj Jugosllavisë. Gjithashtu, ka ende fluturime ndërmjet këtyre dy vendeve.