Disa muxhahedinë të strehuar në kampin MEK në Manëz të Durrësit dyshohen si të përfshirë në trafik klandestinësh drejt Francës, por edhe drogë dhe vjedhje.
Report tv raportoi sot se nga 2019 deri në 2021 ata kanë tentuar të dërgojnë ilegalisht drejt Francës 400 pjesëtarë të kampit Ashraf 3.
Sipas të njëjtave dokumente më 11 korrik 2021 policia e Durrësit ka arrestuar në kushtet e flagrancës në një automjet 7 klandestin nga Iraku, Kurdistani e Siria të cilët ishin sjellë në Shqipëri nga Greqia për tu dërguar në Europë.
Si përgjegjës të këtij trafiku, Policia e Shtetit ka arrestuar anëtarë të MEK në Shqipëri ndërsa ka referuar materialet hetimore në prokurorinë e Durrësit.
Pa kaluar një javë nga ky episode i trafikimit të 7 klandestinëve Iranian, Kurd e Sirian për të cilët policia e shtetit thotë se anëtarët e MEK bashkëpunojnë me grupet kriminale shqiptare dhe greke një tjetër operacion i policisë së shtetit zbulon përfshirjen e tyre në trafik droge, raporton Report tv.
Më 18 Korrik 2021 policia e Tiranës ka sekuestruar një sasi të konsiderueshme droge. Nga hetimet e policisë së Tiranës ka rezultuar se në këtë grup që do të trafikonte drogën drejt Italisë kishin rol të rëndësishëm dy officer të kampit MEK, mes tyre Hassan N. dhe Narges A.
Një tjetër rast i dokumentuar rezulton nga një pjesëtarë i këtij kampi më 26 Mars 2021 të cilin policia e shtetit e ka proceduar për akuzën e vjedhjes në bashkëpunim me dy shqiptarë. Ai është Mohammad D. banor i kampit Ashraf 3 dhe ka vjedhur në territorin e Kamzës një farmaci bujqësore.
Përfshirja e tyre në aktivitetin e paligjshëm të klandestinëve ka alarmuar policinë e Shtetit e cila në fund të vitit 2021 ka njoftuar ambasadën amerikane në Tiranë.
Muxhahedinët në Shqipëri përllogariten në afro 3000 persona.
Reagimi i policisë:
Policia e Shtetit ka reaguar pas publikimit të lajmit për një raport që policia i ka dërguar Ambasadës së SHBA në Tiranë, lidhur me krimet e supozuara si të kryera nga disa anëtarë të komunitetit të muxhahedinëve në Shqipëri.
Reagim i Policisë së Shtetit:
Lidhur me lajmin e publikuar në disa media, mbi një raport të Policisë së Shtetit, dërguar ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, që aludon për përfshirjen e komunitetit të muxhahedinëve të strehuar në Shqipëri, në trafikun e klandestinëve dhe të drogës, informojmë se:
Policia e Shtetit nuk i ka dërguar asnjë raport të tillë apo ndonjë tjetër të ngjashëm ambasadës së SHBA-së në Tiranë, në të cilin flitet për implikimin e grupit MEK në trafikun e klandestinëve apo të droges
Policia e Shtetit sqaron se nga verifikimet e kryera rezulton që ky material është hedhur në qarkullim me qëllim dezinformimin e komunitetit.
Duke vlerësuar rolin e medias në informimin e publikut dhe rritjen e transparencës, kërkojmë që në interes të mirinformimit dhe për të shmangur lajme që çojnë në dezinformim, të kontaktohet zyrtarisht Policia e Shtetit, para publikimit.
