Brenda gjashtë muajsh është e mundur që të organizohen zgjedhjet thotë kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu pas takimit të Lulzim Bashës me aleatët e PD.
“Ne kemi thënë që brenda 6 muajsh është e mundur që të organizohen zgjedhjet, por së pari duhet të largohet Rama dhe të krijohet një qeveri tranzitore”- u shpreh ai duke shtuar se protestat do të vijojnë të gjitha.
Ai tha se duhet ndaluar ky “grusht shteti” i organizuar nga kryeministri Rama.
“Ne duhet të marrim çdo hap bashkë me qytetarët për të ndalur këtë grusht shteti të organizuar nga Rama. Për me tepër sjella e Ramës duke arrestuar protestuesit dhe përfaqësuesit është kriminale na kthen në kohët e errëta të komunizmit ku arrestoheshin kundërshtarët politike.
Është qartësuar tashmë edhe pozicioni i BE, që ka vendosur për të mos hapur negociatat dhe shtete të tjerë që po kërkojnë vendosjen e vizave. Nëse Rama e gjeti vendin vend të NATO dhe me viza të liberalizuara, sot po shkojmë hapa pas për shkak të papërgjegjshmërisë së Ramës dhe shqiptarët duhet të çohen dhe të reagojnë ndaj kësaj situate”, tha Mediu.
