Meksika vazhdon me paraqitjet mbresëlënëse në Kupën e Botës duke mposhtur Çekinë me rezultatin 3-0 dhe duke fituar të tre ndeshjet e fazës së grupeve për herë të parë në historinë e saj.
Mateo Chavez hapi serinë e golave në minutën e 55-të, ndërsa vetëm gjashtë minuta më vonë Julian Quinones dyfishoi avantazhin e meksikanëve me golin e tij të dytë në këtë turne. Fitorja u vulos në minutat shtesë të pjesës së dytë nga Alvaro Fidalgo.
Arritja përfaqëson performancën më të mirë të Meksikës në fazën e grupeve të një Kupe Bote. Deri tani, rezultati më i mirë kishte qenë dy fitore dhe një barazim, i regjistruar në vitet 1986 dhe 2002, në të dy rastet me Javier Aguirre si figurë kyçe – fillimisht si lojtar dhe më pas si trajner.
Si fituese e Grupit A, Meksika do të luajë të martën në stadiumin Azteca në raundin e 32 skuadrave, ku do të përballet me një kundërshtar që ende nuk është përcaktuar.
Nga ana tjetër, Çekia u eliminua nga turneu, duke e mbyllur fazën e grupeve me vetëm një pikë në tri ndeshje.
Një tjetër moment historik erdhi në minutën e 77-të, kur portieri legjendar Guillermo “Memo” Ochoa, 40 vjeç, hyri në fushë dhe u bë një nga lojtarët e rrallë që kanë marrë pjesë në gjashtë Kupa Bote, duke iu bashkuar Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos.
REZULTATI:
Çeki 0-3 Meksikë
Chavez 55’, Quinones 61’, Fidalgo 90+4’
