E ëma e 31-vjeçarit Gerti Shehu ka qëndruar për rreth 3 orë në ambientet e Komisariatit nr. 1 në Tiranë. Ajo është thirrur për të dhënë disa deklarime pas sulmit që bëri djali i saj ndaj kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke e goditur me grusht gjatë protestës së sotme. Nuk dihet ende se çfarë ka deklaruar ajo.
Pas deklarimeve, ajo është larguar me një ambulancë nga ambientet e komisariatit. Shkak mendohet se ka qenë gjendja jo e mirë shëndetësore e saj.
Në lidhje me këtë rast, kreu i demokratëve Sali Berisha ka thënë se Shehu është agjent i Policisë Kriminale. Por kjo është mohuar nga drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, i cili ka hedhur poshtë akuzat duke thënë se Shehu nuk ka qenë ndonjëherë dhe nuk është agjent i asnjë strukture të Policisë së Shtetit.