E ardhmja e Lionel Mesit është lidhur gjithnjë me atë të Barcelonës, edhe pse Mançester Siti, sidomos pasi në krye të stolit u ul tekniku Pep Guardiola, ka provuar ta joshë argjentinasin. Megjithatë, klauzola për t’i prishur kontratën yllit të katalanasve kap shifra stratosferike, pasi blaugranët kurrsesi nuk mund të humbasin idhullin e tyre.
Por, në kontratë është edhe një klauzolë e cila e lejon Mesin të përfundojë detyrimet kontraktuale pa asnjë detyrim financiar. Këtë fakt e ka zbuluar ‘El Pais’, e cila siguron se kjo marrëveshja ka hyrë në zbatim prej rinovimit në vitin 2017.
Edhe burimet pranë klubit të Barcelonës janë shprehur se Mesi, sipas akordit me drejtuesit, mund të lirohet kur të dojë në fund të çdo sezoni. Kështu, edhe pse argjentinasi e ka shprehur shpeshherë vullnetin e tij për t’i qëndruar besnik Barcelonës, fakti i klauzolës në kontratë lë të hapur një mundësi që pesë herë fituesin e Topit të Artë ta shikojmë duke përfaqësuar të tjera ngjyra.