ditën e tyre, mësuesit nuk i kërkojnë qeverisë kartolina e lule, por vlerësimin e premtuar financiar. Ata i japin dy muaj kohë për realizimin e rritjes së pagës prej 20%. Në rast se kjo nuk ndodh, janë gati të pezullojnë mësimin.
Deklarata vjen pikërisht në 7 mars, nga Sindikata e Pavarur e Arsimit Shqiptar. “Në fund të muajit do të mbledhim Këshillin Kombëtar dhe do të përshkallëzojmë lëvizjen sindikaliste, duke u bërë thirrje të gjithë mësuesve për të bojkotuar mësimin dhe për të kaluar në grevë deri në rritjen e pagës prej 20%”, thotë kreu i Sindikatës, Nevruz Kaptelli. Ky është mesazhi drejtuar qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit, për t’u futur në negociata.
Nëse nuk ka asnjë indicie pozitive, kreu i Sindikatës thotë se vendimi për hapat e mëtejmë do të jetë në dorën e Këshillit Kombëtar për Arsimin. “Në një maj do të ketë bojkot mësimi, i cili do të nisë me grevë njëorëshe. Më pas do të jetë një vendim, që do të merret nga Këshilli Kombëtar në fund të muajit. Deri më 1 maj, qeveria e MAS kanë gjithë kohën e nevojshme që të ulemi të negociojmë në realizim të asaj që kanë premtuar, sepse mësuesit nuk mund të durojnë dot më”.
PREMTIMI
Mësuesit nuk kërkojnë as më shumë e as më pak, nga ajo çka u është premtuar nga qeveria. “Në fund të mandatit të dytë është premtuar disa herë që do të ketë rritje pagash deri në 40%. Kanë kaluar dy vite e gjysmë, por edhe këtë vit nuk ka asnjë shenjë për rritje pagash. Në mandatin e parë, në katër vite janë rritur pagat vetëm një herë, në prag të fushatës elektorale. Përveç kësaj, iu mohua mësuesve edhe ajo që e merrnin prej më shumë se 6 vitesh, shpërblimin prej 1 mijë lekësh të rinj në fund të vitit. Kjo, në një kohë kur vetë qeveria kishte premtuar pagën e 13-të të mësuesve”, sqaron kreu i Sindikatës, duke shtuar se, edhe pse qeveria thotë se arsimi është prioritet, nuk po e vlerëson si të tillë. Nuk ka kaluar shumë kohë nga viti i kaluar kur qeveria, përmes ministrit të Financave të asokohe, Arben Ahmetaj, lajmëroi rritje për tri kategori të administratës, midis të cilëve ishin dhe mësuesit.
“Rritja bazë e pagës së punonjësve të arsimit parauniversitar është 10 për qind, paga bazë e mësuesit në shkollat e mesme rritet me 3,850 lekë dhe paga bruto shkon 68,150 lekë në muaj. Paga bazë në shkollat nëntëvjeçare rritet me 3,550 dhe paga bruto shkon 64,650 lekë në muaj. Paga e mësuesit në ciklin e ulët rritet 3,350 dhe paga bruto është 62,450 lekë në muaj”. Shtesën në fjalë, sipas të dhënave, duhet ta përfitojnë 34 mijë e 630 arsimtarët në sistem. / panorama