SPAK sqaron disa prej akuzave që rëndojnë mbi ish Presidentin, ish kryeministrin, ish kryetarin e Kuvendit, Presidentin e PL-së. Ai akuzohet se bleu përmes vjehrrës dublexin 310 mijë euro, me para korrupsioni.
“Për periudhën 2009-2010, nga ana e personave nën hetim, Ilir Meta, Monika Kryemadhi dhe Fatime Kryemadhi është blerë, një apartament dublex me vendndodhje në zonën e njohur si “ish bllok”, i deklaruar si i finacuar me kredi bankare. Nga hetimi ka rezultuar se shuma prej 310,000 Euro që kanë shërbyer për blerjen e katit të parë të dublex, janë derdhur Cash në sistemin bankar nga Fatime Kryemadhi, dhe shuma 335,000 Euro e marrë kredi nga Fatime Kryemadhi, është shlyer gjithashtu me para të depozituara në bankë të nivelit të dytë në Republikën e Shqipërisë, në Mars-Nëntor 2010. Këto para dyshohet se kanë origjinën nga aktiviteti i paligjshëm i shtetasve Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi si dhe kredia bankare është përdorur si mbulesë dhe mënyrë për të futur në sistemin bankar shuma të konsiderueshme monetare”, thuhet ndër të tjera në akuzën që SPAK ka ngritur për Ilir Metën.
