I menjëhershëm ka qënë reagim i ambasadores Yuri Kim, pas dekretimit nga Presidenti Ilir Meta ditën e sotme të gjyqtarit Sokol Ngresi si anëtar të Gjykatës së Lartë.
Bashkë me Ngresin Gjykata e Lartë bëhet me 13 anëtarë nga 19 anëtarë që duhet të ketë në total.
Sipas Yuri Kim, tashmë Gjykata e Lartë “është në gjendje të kryejë të gjitha funksionet, të shqyrtojë më shumë çështje dhe amendime të çështjeve ligjore në mënyrë racionale”.
“Hap i madh përpara për reformën në drejtësi: Gjyqtari i 13-të i Gjykatës së Lartë u dekretua sot, duke i dhënë mundësi dhomave të bashkuara të arrijnë përfundimisht kuorumin pas 5 vitesh.
Kjo do të thotë se Gjykata e Lartë tani është në gjendje të kryejë të gjitha funksionet, të shqyrtojë më shumë çështje dhe amendime të çështjeve ligjore në mënyrë racionale.
Ky hap i madh është falë bashkëpunimit të mirë mes institucioneve të drejtësisë dhe Presidencës. Shpresojmë që kjo të vazhdojë. Reforma në drejtësi nuk ka qenë e lehtë, e shpejtë apo e përsosur, por përfundimisht po ecën përpara dhe po prodhon rezultate reale”, shkruan Yuri Kim në Twitter.
