Në një kohë që Presidenti Hashim Thaçi po fliste në emisionin “Open” në Top Channel ku kritikoi Haradinaj për qëndrimin e mbajtur në Samitin e Berlinit dhe i doli në mbrojtje Ramës, Ilir Meta ka postuar në facebook një foto ku po darkon me kryeministrin kosovar.
“Kënaqësi e veçantë të ndaja sërish me Kryeministrin, Ramush Haradinaj në Durrës pikëpamje mbi sfida të përbashkëta që forcojnë marrëdhëniet midis dy vendeve dhe perspektivën e përbashkët europiane”, shkruan Meta.
Me sa duket edhe aleancat mes liderëve të Shqipërisë dhe të Kosovës janë kristalizuar, ku vihet re një miqësi Haradinaj-Meta dhe Rama-Thaçi.
Mbrëmjen e sotme Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i është rikthyer debatit Rama – Haradinaj në Berlin, para Merklelit dhe Makronit. Nga studio e emisionit Open, Thaçi ka mohuar që bashkë me Ramën t’i kenë bërë presion Haradinajt për pezullimin e taksës. Sipas Thaçit, Rama i kërkoi Haradinajt që të sillej me edukatë.
“E vërteta është ajo që ka shkruar kryeministri Edi Rama. Ka qenë një këshillë në aspektin edukativ se si të sillet në aspektin kulturor, nuk ishte presion. Rama i ka kërkuar me mirësjellje, në rrafshin edukativ për angazhimet e atyre momenteve, nuk kishte presion”, tha Thaçi.
Edhe Rama e ka mohuar disa herë një gjë të tillë: “Kam ndërhyrë vetëm njëherë, duke thëne se ata duhet të hynin vetë në proces. Më tutje i kanë kërkuar më shumë durim dhe disa herë Ramushit jo ta heqë taksën, po thjesht të japë pëlqimin që taksa të pezullohet përkohësisht për 6 muaj apo edhe për 4 muaj qoftë, duke u zotuar që të hyjnë në procesin e dialogut Kosovë-Serbi ata vetë. Edhe të dy personalisht, kancelarja dhe presidenti!”, sqaroi Rama.
Haradinaj u shpreh pas samitit se Rama dhe Thaçi i bënë më shumë presion se Aleksandër Vuçiç për të hequr taksën dhe për t’i rënë në dy kancelarës Angela Merkel.