Presidenti Ilir Meta ka kthyer mbrapsht një tjetër ligj të miratuar nga mazhoranca socialiste. Në argumentet që përdor kreu i shtetut për kthimin e ligjit për statusin e prokurorëve dhe të gjyqtarëve, thuhet se këto dispozita, të miratuara në mungesë të një konsultimi gjithëpërfshirës, shkelin: 1) Parimin e sigurisë juridike;
2) Parimin e pavarësisë dhe paanësisë së gjyqësorit; 3) Parimin e hierarkisë së normave kushtetuese dhe rezervën kushtetuese;
4) Jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese.
Sipas Metës, për sa kohë organi që emëron gjyqtarët e Gjykatës së Lartë është Presidenti i Republikës, edhe betimi i gjyqtarëve që do të shqyrtojnë çështjet lidhur me kuptimin dhe zbatimin e ligjit për të siguruar njësimin ose zhvillimin e praktikës gjyqësore, sipas ligjit, duhet të bëhet para Kryetarit të Shtetit.
“Betimi përpara Kreut të Shtetit, është një garanci më shumë për njohje të parimit të sovranitetit kombëtar dhe lirive e të drejtave themelore të popullit. Për rrjedhojë, anëtarët e Gjykatës së Lartë, të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, njësoj si dhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, që do të shërbejnë në ushtrimin e funksioneve të tyre si garant të të drejtave dhe parimeve të një shoqërie demokratike që përcaktohen në Kushtetutë, legjitimitetin që i rrjedh nga Kushtetuta, dhe vullnetin për ta ushtruar atë nuk mundet ta deklarojnë dhe ta garantojnë askund tjetër veçse para Kreut të Shtetit personalisht. Ndërkohë që Prokurori i Përgjithshëm, duhet ta bëjë betimin përpara Kuvendit, siç përcaktohet në ligjin organik dhe siç ka ndodhur”, thekson Meta duke shtuar se betimi para Presidentit të Republikës, përveç pasojave të kërkuara institucionale për fillimin e ushtrimit të detyrës, sjell garanci morale, dhe forcim të angazhimit për mbrojtjen e detyrimeve të paraqitura në tekstin e Kushtetutës. / tirananews.al