Pyetjet e kryetarit të Komisionit hetimor për shkeljet kushtetuese të Presidentit, Ulsi Manja mbyllën dhe ciklin e pyetjeve ndaj kreut të shtetit në këtë komision që zgjati për mbi dy orë.
Manja e pyeti fillimisht kreun e shtetit se si e konsideron kompetencën e tij për të anuluar datën e zgjedhjeve 30 qershorin. Meta u përgjigj: “Për të garantuar thelbësisht të drejtën e zgjedhjesh siç e përcakton Gjykata e Strasburgut, unë mora këtë akt të datës 10 qershor me dëshirën dhe vullnetin për një datë tjetër që kjo e drejtë të ushtohej substancialisht sipas vendimit të Gjykatës së Strasburgut”.
Referuar dekretit për anulimin e datës së zgjedhjeve, pyetja e radhës e Ulsi Manjës ishte nëse Presidenti i ka mohuar maxhorancës që ishte në kulmin e ushtrimit të kësaj të drejtë kushtetuese. Meta tha: “Unë nuk i kam mohuar asnjërit të drejtën e zgjedhjeve, përkundrazi, kam shfuqizuar 30 qershorin me vullnetin për të dekretuar një datë të re gjithëpërfshirëse në mënyrë që të gjithë qytetarët shqiptarë të ushtronin siç e thatë në mënyrë cilësor dhe substanciale, siç e thotë Gjykata e Strasburgut të drejtën e votës dhe në mënyrë të lirë dhe të fshehtë. Unë mendoj që për këtë çështje GJEDNJ e cila është e vetmja që mund të bëjë interpretimin e Konventës evropiane të të drejtave të njeriut e ka bërë shumë të qartë se çfarë do të thotë “zgjedhje” dhe “votime”. Shqipëria ka një mundësi historike të bëjë një figurë të mirë si kryesuese e OSBE për vitin që vjen dhe aktualisht është në Trojkë. Një nga çështjet kryesore të OSBE është dhe çështja e standardeve të zgjedhjeve. Një vend që shfaq probleme serioze në këtë drejtim, sipas vlerësimit time ka të vështirë të ketë integritetin e duhur për të folur për standardin e zgjedhjeve në të gjithë hapësirën që përfshin OSBE”.
“Ju mendoni se tejkalimi i afateve të caktuara në Kushtetutë për të garantuar periodicitetin e zgjedhjeve vendore e për rrjedhojë edhe votës aktive e pasive është mbrojtja e duhur që i keni bërë parimit kushtetues?”, ishte pyetja e radhës e Ulsi Manjës. Meta theksoi se nuk ka afat në Kushtetutë për këtë çështje përveç përmendjes së periodicitetit. “Së dyti, në kodin zgjedhor keni konstatim të OSBE ODIHR që Kodi Zgjedhor në Shqipëri nuk parashikon zgjedhje pa kundërshtar, pra me një kandidat. Sigurisht që parimet kushtetuse prevalojnë. Nuk dëshiroja të caktoja një datë në mënyrë arbitrare, isha në kushtet e emergjencës për të bërë publik këtë vendim para manifestimit të opozitës dhe për të krijuar një situatë reflektuese për të dyja palët dhe për këtë kam nisur menjëherë bisedat, diskutimet me të gjitha forcat politike që shkelën vullnetin që të caktonim sa më shpejt një datë, mundësisht brenda korrikut. Përsa i përket 13 tetorit e kam bërë të qartë, është në relacionin e dekretit të 26 qershorit pse është zgjedhur kjo datë. Për të garantuar një pjesëmarrje gjithëpërfshirëse”, tha Meta.
Nëse kreu i shtetit ka vendosur një standard të ri të tijin në raport me zgjedhjet vendore apo zgjidhje e propozuar për të shtensionuar sitautën politike, përgjigja e kreut të shtetit ishte kjo: “Sjellja ime është tërësisht në standardet kushtetuese që janë sjellë të gjithë presidentët e Shqipërisë në situata të ngjashme. Së dyti, caktimi i datës 13 tetor ka ardhur pasi u konsuman përpjeket për një datë të caktuar. Nëse kryeminstri do shprehte vullnetin për t’i dhënë mundësi opozitës, në tërësi, përfshi dhe kandidatë të pavarur, kur është realizuar një proces zgjedhor gjithëpërfshirës, besoj se situata do të isht ndryshe. Por isha i detyruar të caktojë një datë për zgjedhjet vendore, pikërisht për të mos i mohuar të drejtën e zgjedhjeve qytetarëve në Republikën e Shqipërisë”.
Referuar situatës së rëndë kushtetuese dhe rendit publik pyetja e radhës e Ulsi Manjës ishte nëse Presidenti tentoi që me këtë argument të ulë palët politike para se të firmoste dekreti e 10 qershorit për anulimin si datë të 30 qershorit.
“Së pari, ky informacion i një institucioni mjaft të rëndësishëm të sigurisë kombëtare që ju sipas ligjit, i keni certifikatat e sigurisë mund të njiheni, ka qenë mes shum informacioneve të tjera, po nga ana ime është vlerësuar si kritik sepse përputhje me shumë informacione dhe paralajmërime për atë se çfarë mund të ndodhte më 8 qershor, në protestën e opozitës dhe ekipi im i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, i cili disponon dhe informacione të tjera nga institucione të tjera situata emergjente”, tha Meta.
Nëse është sjellë si kryetar shteti apo përfaqësues i popullit Meta dha këtë përgjigje: “Në të gjithë veprimtarinë time në respekt të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, parimit themelor që është pluralizmi politik dhe garancia për çdo qytetar të votojë në mënyrë të lirë e të ndershme dhe kjo është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër. Nuk kam vepruar sipas një miksture po entiteti normash kushtetuese të harmonizuara me njëri-tjetrin për të garantuar të drejtën e zgjedhjeve për të zgjedhur sikurse deklaron dhe GJEDNJ, e cila është e vetmja që ka bërë dhe mund të bëjë interpretim se çdo të thotë “zgjdhje” dhe “votim”. Së dyti, jo vetëm jam bazuar në përvojat e mëparshme të vendit tonë, por dhe përvojën ndërkombëtare. Po marr përvojën e një vendi mik sikurse është Maqedonia që ka qenë në një situatë të tillë dhe e kaloi falë shtyrjes së zgjedhjeve”, tha Meta.
