Ilir Meta sqaron se nuk do të jetë ai që do të drejtojë Këshillin Bashkiak të Tiranës, nëse zgjedhjet vendore të 14 Majit do të fitohen në kryeqytet nga opozita.
Ilir Meta: Super politikanin, apo super politikanen do ta shikoni, nuk do të jetë një anonim siç është sot që nuk e di askush se kush është kryetari i Këshillit të Bashkisë së Tiranës.
Blendi Fevziu: Ju e quani veten super politikan?
Ilir Meta: Ju e dini që unë jam modest zoti Fevziu. Në çdo rast.
Blendi Fevziu: Po, po më duket këtu keni folur në vetën e tretë. Ai super politikani e kishit për veten?
Ilir Meta: Zoti Fevziu kam plane kombëtare.
Në një intervistë në Opinion, ish-Presidenti hodhi poshtë akuzat se ai ka qenë ish-bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, madje rrëfeu se ka refuzuar tentativat për ta bërë të tillë.
Ilir Meta: Sigurimi i shtetit ka dashur të më bëjë edhe bashkëpunëtor.
Blendi Fevziu: Ka dashur?
Ilir Meta: Po. Nuk ka ndodhur.
Meta tha se ndryshimet e mazhorancës në ligjin për dosjet nuk do të mund ta pengojnë në rrugën e tij.
Ilir Meta: Një autoritet me zero integritet nuk përcakton dot as fatin e pluralizmit politik, as fatin e Ilir Metës dhe as lidershipin e Partisë së Lirisë.
Meta i ka cilësuar të sajuara akuzat për të cilat po heton SPAK për pasurinë apo lotimet e tij në SHBA.