Ish-presidenti Ilir Meta akuzon kryeministrin Edi Rama se i ka shërbyer propagandës komuniste.
Ai ka publikuar një foto nga revista “Në shërbim të popullit”, botuar në 10 tetor të vitit 1983, në të cilën shihet edhe një karikaturë, autor i të cilit, sipas Metës, është kreu i qeverisë.
“Partia e Punës e kishte Edi Ramën karikaturistin e preferuar të shkrimeve propagandistike kushtuar Sigurimit dhe spiunazhit. Ndërsa Partia Socialiste e ka Edi Ramën, Kryetarin e bandës së inceneratorëve. Pikërisht këtu do të fokusohemi dhe ne për të zbardhur grabitjet e tij galopante dhe për t’i dhënë ndëshkimin e merituar. Në foto: (Karikatura e Edi Ramës në revistën “Në shërbim të popullit”, 10 tetor 1983)”, shkruan Meta.
Kohët e fundit, emri i ish-kreut të shtetit është përmendur nga Autoriteti i Dosjeve në dokumentin që i drejtoi Kuvendit, si politikanin e përfshirë në dosjet e Sigurimit të Shtetit.