Kreu i shtetit Ilir Meta ka zgjedhur ditëlindjen e 109-të të shenjtores Nënë Tereza për të dhënë mesazhin se urtësia dhe porositë e saj duhet të na shërbejnë si burim frymëzimi.
Meta thotë se së bashku me shumë dashuri mund të bëjmë gjithçka që duhet për këdo ka nevojë e ndihmë, për begatinë e Shqipërisë dhe kombit tonë.
MESAZHI I PRESIDENTIT META
Në 109-vjetorin e lindjes së Shenjtores Nënë Tereza, simbolit shqiptar dhe botëror të humanizmit e solidaritetit njerëzor dhe shembullit të jashtëzakonshëm të dashurisë e përkujdesjes të çdo nëne shqiptare, ne përkujtojmë me nderim e respekt trashëgiminë e vyer të veprës së Saj humane e hyjnore të paharruar.
Urtësia dhe porositë e Shën Terezës le të na shërbejnë si burim frymëzimi, që të gjithë së bashku, me shumë dashuri e përkushtim të bëjmë gjithçka duhet për këdo që ka nevojë për ndihmë, solidaritet e përkrahje sociale, për prosperitetin e begatinë e Shqipërisë dhe të kombit tonë!
