Nëse keni menduar se këto ditë kanë qenë të ftohta, gaboni. Java e fundit e janarit pritet të jetë me temperatura ekstrem të ulëta, ku në zonat e thella në veri dhe në juglindje do të shënojnë edhe vlerën – 17 gradë. Meteorologia e Metoalb, Lajda Porja në një lidhje të drejtpërdrejtë në ‘Studio Live’ të gazetarëve Migena Sotiri dhe Arbër Hitaj, tha se e marta do të jetë dita më e ftohtë
“Presim ditë të ftohta, nga mbrëmja e së premtes deri të enjten apo të premten e javës tjetër. Temperaturat -17 gradë mund të shënohen në zona të thella në juglindje apo Kukës e Has. Temperatura të ulëta do ketë nga dita e diel, mesjava do shënojë vlerat më të ulëta. Në zonat e banuara vlerat më të ulëta do shkojnë deri në -13 gradë, Kukësi Bulqiza, fshatrat priten të zbresin edhe në -16 gradë. Edhe në bregdet do ketë vlera negative. Në kryeqytet do të shkojnë në -3 apo -4 gradë. Temperaturat maksimale nuk do kapërcejnë 6 gradë. Në zonat malore ngricat do jenë prezentë nga e shtuna dhe gjithë javën tjetër. Kulmi i temperaturave të ulëta do të jetë ditën e martë dhe të mërkurë”, tha ajo.
Kushtet e motit do të pësojnë një ndryshim të lehtë nga e enjtja dhe e premtja e javës së kaluar, ku do të ketë një rritje të temperaturave me 1 apo 2 gradë.
“Ka një thyerje të enjten, të premten dhe të shtunën që do ketë një rritje, por do të jetë graduale, me 1 deri në 2 gradë. Në vlerë negative pritet i gjithë territori, zonat e ulëta, Shkodra, Berati, Gjirokastra pritet të regjistrojnë vlera -6. Nuk do jetë e gjithë java në këto temperatura, e marta do të jetë, në kryeqytet më pas temperaturat do të jenë në -1 apo -2 gradë”, tha ajo.