Që prej të mërkurës ka nisur një peticion i cili e ka fokusin që të nxisë qeverinë të marrë në shqyrtim projektligjin e minimumit jetik. Sipas nismëtarit të këtij projektligji, Arlind Qori, minimumi jetik është premtuar vit pas viti nga një politikan tek tjetri dhe tashmë duhet patjetër që të merren në konsideratë qytetarët dhe firmat e tyre.
Për të propozimi për minimumin jetik duhet të bazohet tek metoda, jo te shifra duke qenë se çmimet lëvizin nga muaji në muaj. Ai shpjegoi se vendosja e një minimumi jetik është shumë e rëndësishme, pasi mbi bazën e kësaj shifre llogaritet ndihma ekonomike, pensioni dhe paga minimale.
Aktivistët presin që të mbledhin rreth 20.000 firma në mënyrë që peticioni i tyre të mund të ketë ndikim tek vendimet e qeverisë. Përmes njohjes me ligj të minimumit jetik, do të përfitonin mijëra qytetarë duke qenë se ka në fokus pensionet, pagën minimale, ndihmën ekonomike, asistencën etj.