Ministri i Brendshëm, Taulant Balla zhvilloi sot një takim me Prokurorin e Përgjithshëm, Olsian Çela. Në fokus të takimit ku morën pjesë edhe drejtues të lartë të Prokurorisë dhe Policisë së Shtetit ishte vlerësimi i ecurisë së punës së deritanishme të strukturave të prokurorisë dhe policisë, koordinimin mes tyre dhe bashkërendimin e prioriteteve në goditjen e krimit.
Gjatë takimit ministri Balla theksoi se revanshi i sundimit të ligjit ndaj krimit të organizuar po godet fort sëmundjen e vjetër të lidhjeve të krimit me policinë dhe drejtësinë.
Gjithashtu ministri Balla vlerësoi rezultatet e arritura në goditjen e rrjeteve të shpërndarësve të lëndëve narkotike në muajin shtator 2023, puna e kryera nga strukturat e policisë dhe prokurorisë në këtë drejtim si dhe u shpreh vullneti për vazhdimin e punës në këtë aspekt edhe gjatë vitit 2024, duke e konsideruar si çështje me prioritet maksimal.
Gjithashtu prej tij u prezantuan edhe disa aspekte të tjera prioritare për punën e Policisë së Shtetit e për të cilat kërkohet mbështetje nga ana e prokurorisë. Mes të tjerash gjatë takimit ministri Balla theksoi rëndësinë e dy vendimeve të Gjykatës Europiane të Drejtave të Njeriut në Strasburg në lidhje më çështjen e 21 Janarit si dhe çështjen Hysa ndaj Shqipërisë, lidhur me respektimin e standardeve në aplikimin e masës së sigurimit “arrest në burg” në fazën e hetimit dhe gjykimit.
