Në panairin “Future Tech 2026”, ministri i Brendshëm Ervin Demo e cilësoi identitetin biometrik një nga infrastrukturat më kritike të shtetit. Ai tha se siguria e kartave të identitetit dhe pasaportave nuk lidhet vetëm me udhëtimin e qytetarëve, por edhe me mënyrën si ata identifikohen në administratë, banka dhe biznese.
“Identiteti biometrik është një nga infrastrukturat më kritike të një shteti modern. Nuk është thjesht karta që mbajmë në portofol apo pasaporta që përdorim kur udhëtojmë, por mekanizmi përmes të cilit shteti garanton identitetin e qytetarëve, sigurinë e lëvizjes së tyre dhe gjithmonë e më shumë sigurinë e marrëdhënies së tyre me administratën, bankat dhe bizneset”, tha ministri.
Demo u ndal te roli i IdentiTek, shoqëria me kapital 100% shtetëror që prodhon dhe shpërndan dokumentet biometrike. Sipas tij, përgjegjësia e saj shkon përtej prodhimit të dokumenteve dhe përfshin sigurinë e besueshmërinë e sistemit të identifikimit, si dhe përputhjen e tij me standardet ndërkombëtare.
Duke folur për sigurinë publike, Demo tha se teknologjia është tashmë pjesë e punës së Policisë së Shtetit. Ai përmendi kamerat inteligjente, laboratorët shkencorë modernë, sigurinë kibernetike dhe rrjetet e sigurta digjitale si mjete që, sipas tij, ndihmojnë në përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve.
Duke iu referuar “Future Tech 2026”, Demo vlerësoi krijimin e një ekosistemi ku bashkohen kompanitë e teknologjisë, universitetet, tregu i punës, sipërmarrësit dhe aktorët e rinj të financimit. “Ne nuk mund të flasim për teknologjinë kur nuk mund të flasim për brezat që vijnë më pas”, u shpreh ai, duke e cilësuar bashkëpunimin mes universiteteve, kompanive dhe tregut të punës si një imperativ për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit.
Në përfundim, ministri Demo falënderoi organizatorët dhe bizneset pjesëmarrëse, duke e lidhur zhvillimin e teknologjisë me konkurrueshmërinë e vendit dhe cilësinë e jetës së qytetarëve. “Suksesi juaj është suksesi i Shqipërisë”, u shpreh Demo, duke uruar pjesëmarrësit për një panair të mbarë dhe një mision të suksesshëm në zhvillimin e teknologjisë dhe inovacionit në Shqipëri.
