Ministri gjerman i Shtetit për Europën, Michael Roth ka deklaruar se Bashkimi Europian duhet të marrë vendimin pozitiv për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, në muajin qershor, siç ka deklaruar më herët. Sipas tij, qershori është koha e duhur për t’i dhënë dritën jeshile dy vendeve të Ballkanin Perëndimor, duke dalë kundër atyre që kërkojnë shtyrjen e kësaj date me argumentin se BE nuk është gati.
“Ne duhet t’i qëndrojmë fjalës dhe përmbushim angazhimet tona. Një votim pozitiv në kohën e duhur për të hapur negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë veriore kërkon pak guxim, por edhe më shumë vizion,” shtoi ai”, deklaroi Roth për të përditshmen gjermane “Der Tagesspiegel”.
Politikani i SPD-së risolli në vëmendje se një “afat i qartë ishte përcaktuar vitin e kaluar nga BE-ja”, duke theksuar se data më e përshtatshme për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duhet të jetë vera, dhe jo vjeshta siç është përfolur ditëve të fundit.
Ai këmbëngul se BE duhet ta vërtetojë parninë e saj në rajon, sidomos për shkak të ndikimit të Rusisë, Kinës dhe Turqisë, që sa vjen e shtohet, por edhe për besueshmërinë e bllokut në rajonin e Ballkanit Perëndimor. “Në Ballkanin Perëndimor, Europa, Rusia, Kina dhe Turqia po luftojnë njëra-tjetrën për influencë. BE nuk ka për synim vetëm të garantojë interesat jetikë të sigurisë, por edhe besueshmërinë e saj”, shprehet Roth.