25 familje matjane përfituan një banesë të re falë programit “Banesë me Kosto të Ulët” nëpërmjet Entit Kombëtar të Banesave, mbështetur nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja informon se sot u hodh shorti për apartamentet me kosto të ulët në qytetin e Matit. Ministri informoi se përfituese janë familjet e përzgjedhura nga bashkia Mat, familje këto të cilat kanë plotësuar kushtet ligjore të ligjit “Për strehimin social”.
“Nga këto familje, 15 prej tyre do të akomodohen në apartamente 2+1, ndërsa 10 të tjera në apartamente 1+1. Nga ky program përfituan: 5 familje me persona me aftësi të kufizuara; 3 nëna kryefamiljare; 2 familje me më shumë se 4 fëmijë; 12 çifte të reja; 3 familje të tjera në nevojë”, tha ministri Gonxhja.